E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Berisha të mos prekë SHISH-in

Reagimi Partia Socialiste kërkon që nismat ligjore të diskutohen më gjerë para se të miratohen

Opozita i kërkoi sërish dje Kryeministrit Sali Berisha që të heqë dorë nga tentativa për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, tha se shurdhëria e qëllimtë e Berishës dhe deputetëve të tij ndaj apelit të opozitës dhe mbi të gjitha partnerëve ndërkombëtarë është me pasoja të rënda për funksionimin demokratik të këtij institucioni, i cili edhe më parë ka qenë viktimë e keqpërdorimit politik nga ana e Sali Berishës. “Për reformimin e shërbimeve të inteligjencës në një shtet demokratik është e domosdoshme që të aprovohet një strukturë ligjore e saktë dhe e hollësishme për veprimtarinë e tyre”, theksoi Gjoni, ndërsa shtoi se kjo duhet të bëhet me një diskutim publik dhe me pjesëmarrjen e shumë aktorëve. Sipas tij, diskutimi publik i rolit të inteligjencës dhe pastaj i marrjes së nismave për përgatitjen e ligjit ose edhe për ndërhyrjen në të në një demokraci të re, të pakonsoliduar si kjo e jona shërben për një numër të rëndësishëm qëllimesh. Sipas tij, diskutimi me bazë të gjerë do të sjellë largimin e çdo misteri rreth shërbimeve të inteligjencës si dhe lejon pjesën tjetër të shoqërisë që nuk është pjesë e këtij komuniteti (shërbimi), të vlerësojnë në mënyrë më realiste nevojën dhe vlerat që ka inteligjenca për vendin. Njëkohësisht, sipas Gjonit, ky diskutim krijon mundësi ligjore për civilët që të kenë njohjen për ta drejtuar dhe kontrolluar, për ata që dëshirojnë që të bëhen specialistë të inteligjencës në këto shërbime.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›