Fullani, sërish zyrtari që fiton më shumë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka arritur të fitojë dhe të investojë për vitin 2009 më shumë se çdo zyrtar tjetër në vend. Shlyerjen e një kredie 40 mijë euro dhe më shumë se 6 mijë euro shpenzime për shkollimin e fëmijëve, duket se Fullani e ka arritur falë pagës së lartë që përfiton gjatë një viti. Kështu ai përfiton 6. 298.248 lekë në vit nga paga dhe shpërblimet nga posti i tij si guvernator. Këto vlera bëhen edhe më të mëdha nga honoraret e Fullanit në Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, ku përfiton 2.737.800 lekë gjatë një viti. Nga ana tjetër, të ardhura të konsiderueshme në një vit, arrin të përfitojë edhe bashkëshortja e tij, Arjana Fullani në pozicionin e anëtares së Gjykatës së Lartë. Në deklarimin e pasurisë, Fullani ka deklaruar një pagë vjetore të bashkëshortes prej 1.702.964 lekësh, duke shtuar edhe të ardhura plus prej 70.380 lekësh, si anëtare e Bordit të Zyrës së Administrimit Gjyqësor. Po kështu familja Fullani arrin të përfitojë në muaj edhe një shumë prej 6.300 eurosh, duke dhënë me qira një apartament në Tiranë.
#