Çeku, të ardhura vetëm nga rroga. Dobjani ka dy depozita bankare
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert çeku, ka një deklaratë shumë të thjeshtë të pasurisë së tij. Dokumenti i shpërndarë nga ILDKP-ja përmban vetëm një faqe, ku ndodhen vetëm të ardhurat e z. Robert çeku dhe të bashkëshortes së tij, Kozeta çeku. Kryetari i institucionit që kontrollon shpenzimin e parave publike nga administrata e shtetit ka të ardhura vjetore për vitin 2009, 2.099.257 lekë, shumë që ai e përfiton vetëm nga paga si kryetar i KLSH-së. Ndërkaq, bashkëshortja, Kozeta çeku ka të deklaruar si të ardhura vjetore për vitin 2009, 960.000 lekë nga paga si farmaciste në një njësi të tregtimit të barnave në Tiranë. Kreu i KLSH nuk ka të evidenntuar asnjë ndryshim tjetër në deklarimin e pasurisë.
DobjaniNdërkaq, ish-avokati i Popullit, Ermir Dobjani, në deklaratën e pasurisë ka të dhëna më të zgjeruara. Kështu, z. Dobjani ka deklaruar se ka çelur një depozitë kursimi në “Raiffeisen Bank” me vlerë 400 mijë lekë, ka mbyllur një depozitë kursimi në “Credins Bank” me vlerë 1 milionë e 292 mijë lekë. Por këto llogari rrjedhëse, sipas deklarimit janë zvogëluar në fund të vitit. Kështu llogaria e “Raiffeisen Bank” më 31 dhjetor është ulur ndjeshëm, duke rezultuar me 197 mijë lekë, ndërsa deklarata e “Credins Bank” rezulton më 31 dhjetor me 240.287 lekë. Në deklaratën e pasurisë së Dobjanit janë shënuar edhe të ardhurat vjetore e përfituar nga paga e cila arrin shumën e 1.963.902. Ndërsa bashkëshortja Aida Dobjani ka përfituar të ardhura vjetore nga paga, 625.030 lekë. Z. Dobjani ka të shënuar si përfitime të ardhurat nga shitja e librit “E Drejta Administrative1” që arrijnë nivelin e 900.000 lekëve dhe fitimeve nga dy depozitat bankare. Ish-avokati i Popullit ka vazhduar të paguajë këstet e një kredie prej 2.5 milionë lekësh që është marrë në vitin 2001.
#