Athina: Premtime detyruese nga Shqipëria për regjistrimin.
Përfshirja e origjinës etnike në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë përveç nevojave statistikore të shtetit shqiptar duket se përfaqëson një interes thelbësor edhe për Athinën zyrtare. Me këtë të fundit, duhet kuptuar jo vetëm qeveria aktuale e socialistëve në pushtet, e cila ka dhënë para disa ditësh për median një qëndrim të qartë përmes ministrit të Jashtëm Plotësues, Dimitris Droutsas, por ndoshta i gjithë mjedisi politik grek që frymëzon nisma diplomatike specifike kundrejt Shqipërisë. Interpelanca e para disa ditëve e Droutsas në Parlamentin helen, teksa ka zbuluar për opinionin shqiptar angazhimin e Athinës zyrtare në inventarizimin e pronave në bregdetin jugor të Shqipërisë, ndonëse aty s’ka pakicë etnike, dhe monitorimin e regjistrimit të popullsisë, paraqet interes edhe për shkak se përftohet si një mundësi për të lexuar direkt interesat greke në Shqipëri. Pyetjet e shtruara nga deputetët e partisë së djathtë LA.O.S dëshmojnë për shqetësimin e krijuar nga zvarritja e çështjeve me vendin tonë, por që gjithsesi ngrihen me forcë në Parlamentin grek. “çfarë veprimesh konkrete keni ndërmarrë dhe çfarë premtimesh të detyrueshme keni marrë nga qeveria shqiptare që do të respektojë regjistrimin e popullsisë? është vallë zhvillim pozitiv durimi i qeverisë shqiptare ndaj veprimeve të shëmtuara të çamëve, provokimet e përditshme, ku digjen flamuj jashtë ambasadës greke në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë?”, ka qenë pyetja e drejtuar nga deputeti i LA.O.S, Ioanis Korantis. Sfondi ideologjik i partisë që ai përfaqëson si parti nacionaliste zbulon në këtë pyetje faktin se regjistrimi i popullsisë, i iniciuar nga Tirana zyrtare përbën një shpresë politike për disa mjedise politike në Athinë. Një shpresë që lidhet me pritmërinë e përmbysjeve në raportet e brendshme demografike, të cilat fitojnë vlerë politike të re jo vetëm përmes shifrës së individëve që mund të vetëdeklarohen si joshqiptarë. Premtimi i ministrit grek për një inventarizim të pronave në bregdetin jugor që sillet përmes fjalëve të tij si zonë me prani minoritare është një adresë për të kuptuar se regjistrimi është një akt që mund të sjellë ndër të tjera edhe një përmasë të re fiktive të pakicës greke.
Ndërkohë, teksa Athina zyrtare ka marrë premtime politike nga Shqipëria rreth çështjeve që lidhen me minoritetin, duket se reciprociteti është një standard që preferohet të mos aktualizohet. Në këtë pikë një tjetër deputet grek, Kostandinos Ajvaliotis, ka ofruar një shprehje të asaj që mund të quhet kushtëzimi që historia i bën vendimmarrjes; “Dhe pas tyre (maqedonasve për çështjen e nënshtetësisë) do të marrin ajër edhe pasardhësit e fashistëve çamë, që dolën kundër grekëve dhe bënë çfarë bënë në Epir, që bashkëpunuan me nazistët dhe do kërkojnë dhe ata të njëjtat gjëra”.
#