E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina premton votën pro Shqipërisë në BE

Bisedimet Meta takon homologun Droutsas në një ndalesë “flash” në Greqi

Greqia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo është bërë e ditur dje nga numri dy i diplomacisë greke, ministri plotësues, Dimitris Droutsas, në një takim me homologun e tij, Ilir Meta, gjatë një takimi të zhvilluar në Athinë. “Ne folëm për marrëdhëniet dypalëshe, sidomos për zhvillimet e fundit në Ballkan. Edhe njëherë dëshiroj të theksoj rëndësinë që ne i japim qasjes europiane, perspektivës europiane të të gjithë rajonit përfshirë sigurisht edhe Shqipërinë. Sikurse ju e dini, Greqia është një mbështetëse e fuqishme e kësaj perspektive. Këtu dua të ritheksoj nismën tonë, Axhenda 2014”, u shpreh gjatë konferencës për shtyp, Droutsas. Ai ka vënë theksin te roli i Greqisë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, mbështetje e cila me ç’po duket është edhe përkufizim formal i raporteve greko-shqiptare. Kështu, Droutsas është mjaftuar me konfirmimin e mbështetjes për integrimin që është një sfidë e pambyllur për Tiranën zyrtare. Mjafton të përmendet këtu se muaji nëntor është kufiri i zgjidhjes së krizës politike, ecuria e së cilës do të përcaktojë notën që BE do të japë për statusin e vendit kandidat. Në këtë kuadër qëndrimi i vendeve anëtare është përcaktues dhe konfirmimet e Droutsas janë një sinjal për qeverinë “Berisha”. Ndoshta kjo ka kushtëzuar edhe shmangien e komenteve të detajuara për çështjen e Kosovës që është aktuale në rajon. Mesazhi i Athinës është vlerësuar maksimalisht nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili në deklaratën e përbashkët për shtyp i ka cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve “të shkëlqyera”. “Sikurse të gjithë e dinë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera, të bazuara veçanërisht në perspektivën europiane të të gjithë rajonit. Dhe Greqia ka mbështetur dhe vijon të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në arritjen e aspiratave europiane. Ne po presim liberalizimin e vizave, por gjithashtu në të ardhmen e afërt edhe statusin e vendit kandidat. Kemi diskutuar për të ardhmen e marrëdhënieve tona, të cilat janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Dua të nënvizoj se ne besojmë shumë në mbështetjen greke, ne besojmë te Papandreu për sa i përket europianizimit të rajonit. Axhenda 2014 ka qenë dhe vijon të jetë një inkurajim i fortë për ne”, është shprehur Meta. Ai ka ndaluar në Athinë gjatë një vizite me destinacion Sirinë, Libanin dhe Qipron, ku mendohet të zhvillohet një lobim për çështjen e Kosovës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›