E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ndalemi deri në çlirimin nga "kthetrat e korrupsionit"

Krumë Socialistët hasjanë, në protestë

Partia Socialiste e rrethit të Hasit, me anëtarë dhe simpatizantë të saj, ka zhvilluar të shtunën një protestë të zgjeruar në qytetin e Krumës, në vazhdim të protestave të opozitës që po zhvillohen në të gjithë vendin. Protesta e hasjanëve kishte si specifikë problematikën e zonës si papunësia, mjerimi ekstrem i një numri të madh familjesh, vjedhjet në infrastrukturë etj. Në emër dhe i dërguar nga kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, në ballë të protestave ka qenë deputeti Asllan Dogjani. Në protestën e socialistëve hasjanë kanë qenë edhe drejtues lokalë të socialistëve kuksianë, si dhe drejtues të kësaj force politike nga Tropoja. Rreth 4 mijë hasjanë të ardhur nga i gjithë rrethi i Hasit të mbledhur në qendër të Krumës u solidarizuan me forcë me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve, për punë dhe normalitet. Në emër të socialistëve hasjanë foli Rexhep Ukperaj, kryetar lokal dhe ish-kandidat për deputet i PS-së, i cili shprehu bindjen se mjerimi i thellë siç tha, që ka pllakosur familjet e rrethit të Hasit, nuk do të votojnë më në shumicë për Kryeministrin aktual dhe për mbështetësit e tij, por do të votojnë për të majtën, sepse vetëm ajo do të nxjerrë nga gropa e korrupsionit ku është degraduar. Nga ana e tij, duke folur në emër të kryesisë së PS-së dhe të kryetarit Rama foli deputeti Dogjani, i cili tha se socialistët në të gjithë vendin nuk do të reshtin së protestuari deri në rikthimin e besimit te zgjedhjet, deri në zgjidhjen e krizës së thellë të vendit që është, sipas tij, largimi i Berishës nga pushteti dhe ndërtimi i një pushteti që punon për popullin. Në themel të oratorisë së shumë pjesëmarrësve në mitingun e protestës së hasjanëve në Krumë ishin: të ndalet rrënimi i mëtejshëm i ekonomisë së vendit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›