E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, priten ndryshimet e 10 shefave të komisariateve

30/01/2009  Pritet emërimi i kryerrugorit të ri të Tiranës, lëvizje në Shkodër, Korçë, etj

TIRANË- Policia e Shtetit përgatitet të zëvendësojë 10 shefa komisariatesh në Tiranë dhe rrethe. Ndryshimet nisin nga vendi vakant i kryerrugorit të kryeqytetit (aktualisht ndodhet i komanduar Nazmi Shuli) dhe përfundojnë në Laç. Zyrtarisht Policia e Shtetit nuk i konfirmon këto ndryshime të pritshme, ndërsa burime të besueshme në Ministrinë e Brendshme thanë për gazetën “Metropol” se jo vetëm që së shpejti 10 shefat e rinj të komisariateve do të nisin nga puna, por priten edhe ndryshime të rëndësishme në rang drejtorësh. Policia e Shtetit, që nga gushti i vitit të kaluar, ka lëvizur nga detyra me dhjetëra shefa komisariatesh dhe drejtorë policie, në kuadrin e rifreskimit të strukturave.

Lëvizjet në kryeqytet

Artan Osmani, shefi aktual i komisariatit të policisë në Laç, pritet të emërohet shef i Policisë Rrugore në Tiranë. Komisar Artan Osmani, që më parë kryente detyrën e shefit të komisariatit të policisë Gjirokastër, para pak kohësh ishte emëruar shef i komisariatit të policisë së Laçit. Aktualisht në postin e shefit të Policisë Rrugore ndodhet i komanduar Nazmi Shuli. Sakaq, priten ndryshime në dy komisariate të tjera në kryeqytet. Nga të njëjtat burime mësohet se lëvizje do të ketë edhe në rangje drejtorësh, pa specifikuar emrat e tyre, teksa zyrtarisht policia nuk e pranon këtë fakt.

Ndryshime në rrethe

Gjovalin Martincamaj, shefi aktual i policisë së Përmetit, pritet të emërohet në Laç, pasi shefi aktual Artan Osmani do të emërohet në kryeqytet si shef i Policisë Rrugore. Ndërkaq, pritet që edhe Arben Frashëri, shefi aktual i komisariatit të policisë në Durrës të emërohet në një tjetër post. Nga burimet policore mësohet që të ketë ndryshime edhe në komisariatin e policisë së Korçës, ku pritet të largohet shefi aktual Latif Kulla. Të tjera ndryshime priten edhe në komisariatin e policisë së Elbasanit, ku këtë post aktualisht e mban Marjan Laca, i cili deri para pak ditësh ishte shef komisariati nr. 3 në Tiranë. Një tjetër komisariat që do të pësojë ndryshime është edhe ai i Shkodrës, ku pritet të largohet shefi aktual Sejfulla Metko. Teksa komisariati i dhjetë që priten lëvizje është ai i Krujës, ku posti aktual mbahet nga Atnan Shehu, i cili pak ditë më parë u emërua në këtë detyrë pasi më parë ishte shef i komisariatit nr. 2 në kryeqytet.

Fier, Berat

Vetëm rreth 10 ditë më parë u emërua nëndrejtori i ri në policinë e qarkut Fier. Ish-nëndrejtori i kësaj Drejtorie Policie, Elidon Veizaj, është larguar nga ky post duke u emëruar në të njëjtin post, paralel, por në Drejtorinë e Policisë Berat.

Berat, Shkodër

Para dy javësh Artan Cuku ishte zv/drejtor për Hetimin e Krimeve Berat, emërohet zv/drejtor për Krimet në Tiranë. Nikolin Bala ishte drejtor i policisë Shkodër, emërohet Drejtor në Luftën Kundër Krimeve të Rënda.

Lezhë, Shkodër

Dy javë më parë Artan Mehmeti ishte zv/drejton në Lezhë, emërohet zv/drejtor për Hetimin e Krimeve në Vlorë. Artan Hasani ishte zv/drejtor në Shkodër, komandohet Drejtor i Policisë së qarkut Shkodër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›