E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët, gjyqtarët e keqpërdorin pushtetin

17/04/2009  Kryesia e avokatëve merr në shqyrtim ankesat e gjyqtarëve

Reagojnë gjyqtarët: Jemi të prekur nga “ sëmundja e shtyrjeve”

TIRANË – Reagime nga të dyja anët. Nga njëra anë kemi gjyqtarët që ankohen shpesh për ecurinë e gjyqeve dhe mungesën e avokatëve mbrojtës, e nga ana tjetër kemi avokatët që reagojnë duke bërë fajtor trupin gjykues. Megjithatë, problemi i mungesës së avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore është marrë në shqyrtim edhe nga kryesia e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Përveç kësaj situata është parë edhe nga Dhoma e Avokatisë Tiranë. Për të përmirësuar situatën dhe për të bindur avokatët se duhet të paraqiten në gjyq në orarin e caktuar, Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar ndëshkime. U interesuam në Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe morëm përgjigje për problemin që ka lindur në gjykatë mes avokatëve dhe gjyqtarëve. Nënkryetarja e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Denisa Daka, shpjegon situatën. Daka pohoi dje se është në dijeni të problemit. Më tej ajo sqaroi se menjëherë pas ankesave të bëra nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Shkallës së Parë është mbledhur kryesia e dhomës. Janë thirrur për të shpjeguar situatën, dy avokat. Njëri prej tyre është Ben Qeleshi, i cili bën pjesë në grupin e avokatëve që mbrojnë të pandehurit e bandës së Lul Berishës. Sipas nënkryetares së Dhomës Kombëtare të Avokatisë, janë shqyrtuar ankesat dhe kanë dale në përfundime se jo në të gjithçka rastet janë avokatët ata që nuk paraqiten në gjyq. Një rast tipik që për avokatët është quajtur “ arrogancë e gjyqtarëve” është fakti se në momentin e caktimit të datës së gjyqit, trupi gjykues nuk merr parasysh angazhimet e avokatëve. Madje sipas nënkryetares janë verifikuar rastet në fjalë dhe ka rezultuar se avokatët nuk e kanë marrë njoftimin për në gjyq në bazë të ligjit, por nëpërmjet telefonit. Pas ballafaqimit dhe shpjegimit që avokatët e “prekur” bënë para kryesisë, problemi është shtruar më tej. Burime të dhomës tregojnë se u bë takim edhe me krerët e gjykatave. Pas takimit është rënë dakord që çështja të mbyllet me mirëkuptim.

Paralajmërimi për ndëshkim

Avokatët, të cilët nuk paraqiten në gjyq dhe nuk kanë një arsye bindëse, do të ndëshkohen. Paralajmërimi vjen nga Dhoma e Avokatisë. Por për të arritur deri tek ndëshkimi shihen disa etapa. E para, avokatët ndëshkohen pasi e kanë shkelur rregulloren. Kjo do të thotë nëse ata nuk paraqiten jo një herë ose dy herë në gjyq, por dhjetë e më shumë herë. E dyta, avokatët pezullohen nga detyra duke mos ushtruar profesionin. Pas kësaj faze bëhet edhe heqja e licencës. Megjithë paralajmërimet deri tani nuk ka patur asnjë rast konkret. Sipas nënkryetares së Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokatët rreshtojnë disa arsye një ndër të cilat është edhe “arroganca” që tregojnë gjyqtarët në seancë gjyqësore duke mos u treguar aspak tolerant. Nga ana e tyre avokatët e prekur nga ankesat e bëra nga kryetarët e gjykatave shprehen se gjyqtarët e keqpërdorin pushtetin.

Gjyqtarët

Nga ana e tyre gjyqtarët reagojnë ndryshe nga avokatët. Sipas gjyqtarëve, avokatët janë bërë palë me të pandehurit dhe për të shtyrë seancat gjyqësore bëjnë plane. Gjyqtarët shprehen se problemet më të mëdha duken tek grupet kriminale. Ndërsa nuk janë aspak dakord me thënien e avokatëve se janë arrogant dhe e keqpërdorin pushtetin që kanë në dorë. Gjyqtarët shprehen se zbatojnë ligjin dhe janë ata që shpesh detyrohen edhe pse i kanë lajmëruar avokatët, t’i marrin në telefon për të siguruar vazhdimësinë e procesit. Gjyqtarët thanë se jo në pak raste i janë drejtuar Dhomës së Avokatisë.

Gjyqtarët jemi gjithmonë të prekur nga “sëmundja” e shtyrjeve

Janë më të prekur nga mungesa e avokatëve në sallën e gjyqit. Me dhjetëra herë i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me shkresa për të marr masa për avokatët “rebelë”. Por në fund përgjigjet kanë qenë të njëjta. Avokatët kanë gjetur arsyen e mosparaqitjes. Janë bërë takime të shumta mes gjyqtarëve dhe avokatëve për të rregulluar situatën, por përsëri e njëjta gjë. Tek Krimet e Rënda gjyqet vazhdojnë të shtyhen. Gjyqtarët futen në sallë, me kalendarët në dorë të përgatitur për të lënë një datë tjetër gjykimi. Shohin mungesën e avokatëve dhe largohen. E njëjta situatë shihet edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në atë të Apelit. Avokatët gjejnë justifikime të ndryshme. Sipas burimeve nga Dhoma e Avokatisë Tiranë, bëhet e ditur se kundër avokatëve janë bërë disa herë ankesa dhe ndaj tyre nuk janë marrë masa, për shkak të mosfutjes në eficiencë të rregullores së hartuar për disiplinën. Kjo rregullore për disiplinën e avokatëve, shumë shpejt do të gjejë zbatim dhe secili prej avokatëve, që merr përsipër të mbrojë një klient do të ketë edhe detyrime. Rregullorja detyron avokatët të lënë edhe licencën për pesë vjet kur ata e shkelin dhe nuk e respektojnë kontratën me klientin e tyre. E gjithë loja e avokatëve, në disa raste bie në dëm të të pandehurve dhe në disa raste të tjera, në favor të tyre. Kur avokati është me justifikim të plotë, atëherë pezullimi i afateve të paraburgimit nuk vendoset nga gjykata. Ndërkohë që, pjesa më e madhe e të pandehurve janë të dëmtuar nga kjo situatë. Gjykata vendos të pezullojë afatet e paraburgimit, për secilin nga të pandehurit, të cilët nuk kanë në krah të tyre avokatët dhe nuk pranojnë zhvillimin e procesit në mungesë të tyre. Në këto kushte, gjykata shprehet se moszhvillimi i procesit erdhi si pasojë e mungesës së avokatëve mbrojtës, pa arsye ligjore.

Rregullorja e avokatëve jo eficiente

Sipas burimeve nga Dhoma e Avokatisë Tiranë, bëhet e ditur se kundër avokatëve janë bërë disa herë ankesa dhe ndaj tyre nuk janë marrë masa, për shkak të mosfutjes në eficiencë të rregullores së hartuar për disiplinën. Kjo rregullore për disiplinën e avokatëve, shumë shpejt do të gjejë zbatim dhe secili prej avokatëve, që merr përsipër të mbrojë një klient do të ketë edhe detyrime. Rregullorja detyron avokatët të lënë edhe licencën për pesë vjet kur ata e shkelin dhe nuk e respektojnë kontratën me klientin e tyre. E gjithë loja e avokatëve, në disa raste bie në dëm të të pandehurve dhe në disa raste të tjera, në favor të tyre.

Avokatët përpara “gjyqit” të kryesisë

Dy avokat janë vënë ditët e fundit përpara “ gjyqit” të kryesisë së Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Replika dhe kundërshtime janë hasur gjatë takimit. Ndërkohë që janë paralajmëruar se do të ndëshkohen në rast përsëritjeje të problemit. Avokatët kanë nxjerrë përfundimet e tyre, duke ia hedhur fajin gjyqtarëve që nuk i pyesin në momentin e caktimit të datës së gjyqit. Sipas avokatëve, gjyqtarët e caktojnë datën e gjyqit pa marrë parasysh angazhimet e tjera që kanë në rrethe të largëta apo në gjykatat e tjera brenda Tiranës. Është kundërshtuar edhe njoftimi me anë të celularit duke mos qenë zyrtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›