E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma e PS-së antiglobale dhe marksiste-leniniste

17/04/2009  Shefi i ekzekutivit sulmon kryesocialistin Edi Rama për programin politik

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, duke thënë se programi politik që ka prezantuar nuk është real, madje komunist. Gjatë takimit që pati me banorët e Farkës kreu i qeverisë ka thënë se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm me premtimet programore të rivalit të tij politik. “Ajo që kërkoj nga ju është që të jeni të vëmendshëm. Ju e dëgjuat programin elektoral të Partisë Socialiste, ku thuhej “sovranitet ushqimor”. Unë shfletova dhe pashë që teoria e “sovranitetit ushqimor” ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste të Brazil, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar për t’i dhënë fund varfërisë”, - ka deklaruar Berisha. Sipas tij, kryesocialisti Rama, duke servirur platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, duhet ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm. “Por grupi që kishte shpikur doktrinën e “sovranitetit ushqimor” antiglobal është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmëdajës së Edi Ramës, Sofo Lazrit, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh”, - tha Berisha. Ai kërkoi që qytetarët duhet të shkojnë në zgjedhje të kthjellët, të bindur se çdo votë majtas është votë për kthimin mbrapa. Shefi i ekzekutivit, duke vijuar sulmet ndaj programit të PS-së, theksoi se fermerët shqiptarë nuk kanë nevojë për “sovranitet ushqimor”, pasi ata prodhojnë vetë ushqime nga më të mirat dhe nuk kanë nevojë as për enciklikat e Edi Ramës. “Juve ju kujtohet kur para tre vjetësh ai dilte e u thoshte që ‘po ju lexoj enciklikat’. Enciklika është dokumenti që Ati i Shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë përveç Edi Ramës. Ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes nga terminologji të tilla”, - deklaroi Berisha. Ai theksoi se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm për interesat, që lidhen drejtpërdrejt me rrugët e shtruara, prodhimet në treg, që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne etj. Ai ka premtuar se mazhoranca e aktuale e djathtë do të punojë për t’i plotësuar të gjitha këto interesa. Gjatë takimit me banorët e Farkës Kryeministri Berisha kërkoi që banorët e zonës të pajisen me letërnjoftimet e reja elektronike, sepse e meritojnë të kenë një dokument të njëjtë me atë që kanë qytetarët e vendeve më të zhvilluara. Sipas tij, të gjithë duhet të marrin kartat e identitetit, sepse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit duhet t’i tregojmë Europës, botës dhe NATO-s se shqiptarët do të votojnë si qytetarë të lirë dhe me dinjitet të plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›