E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e integrimit



Nga Fatmir Kovaçi

Aplikimi i shtetit tim për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian vjen pikërisht në kohën e duhur. As i vonuar, por edhe as i nxituar. Shqipëria tregoi fytyrën e saj të reformave, që i sollën rritje ekonomike 8 për qind vitin e kaluar. Tregoi qëndrueshmëri, krahas vullnetit për të qenë shteti më stabilizues në Ballkanin Perëndimor. Tregoi se ka këllqe për të synuar rritje edhe këtë vit. Madje edhe institucioni më konservator i parashikimeve ekonomike në botë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, i ka dhënë Shqipërisë rritje pozitive për këtë vit, të vetmit shtet në Evropën Qendrore e Jugore, në parashikimin e tij të fundit. Vendi im vlerësohet sërish vend i qëndrueshëm në renditjen e agjencive që këshillojnë bankat ndërkombëtare për kreditë që këto të fundit u japin shteteve. Dhe kjo qëndrueshmëri në kryerjen e reformave përkthehet në aftësi të rritur borxhshlyese. Përparimet që synon Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) me BE-në: forcimi i rendit, i shtetit ligjor, një ekonomi e tregut të lirë dhe mundësive të barabarta për konkurrim ndodhen pikërisht në rrugën ku po ecën vendi im. Është gjëja më e natyrshme që Kryeministri shqiptar të bënte kërkesën zyrtare. Këtu pikët zgjedhore nuk kanë të bëjnë. Është thjesht Shqipëria që tregohet e vetëdijshme për rolin që i përket dhe për rrugën që ka marrë. Tregohet kërkuese, pse përderisa MSA-ja u ratifikua nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, askush nuk e ndalon në rrugën e saj. Zgjedhjet e 28 qershorit janë sigurisht një moment shumë i rëndësishëm, por jo vendimtar për rrugën e integrimit. Ato pa dyshim do të jenë zgjedhjet më të ndershme dhe profesionale që janë zhvilluar ndonjëherë tek ne, prandaj nuk ia vlen të ngrijë ora e integrimit, duke pritur zgjedhjet. Janë përgatitur 38 strategji integrimi, sektoriale dhe ndërsektoriale deri tani. Raportet e progresit të Shqipërisë merren gjithnjë shembull në Bruksel. Vendi ynë është ai që ka hapur një praktikë të re me fondet IPA (të Instrumentit të Para-Aderimit të BE-së). Edhe pa marrë statusin e vendit kandidat, që do t’i hapte rrugën drejt përfitimit të fondeve strukturore (pra investimeve në infrastrukturë) të BE-së, tashmë shumica e rreth 75-81 milionë eurove që fondet IPA japin çdo vit për Shqipërinë, janë para infrastrukture. Kjo, në shenjë të besimit të delegacionit të BE-së në Shqipëri, por edhe të politikëbërësve të Brukselit se Tirana e ka seriozisht me projektet që propozon për financim. Në këtë klimë besimi të ndërsjellë, kërkesa për statusin e vendit kandidat vetëm se sjell dobi në klimën parazgjedhore shqiptare. E meritojmë ta kërkojmë dhe po e kërkojmë këtë status në kohën e duhur. Le të dalë njeri e të thotë që Shqipëria nuk i realizoi detyrat e shtëpisë. Askush nuk ka dalë. Vetëm disa politikanë konservatorë të Parlamentit Evropian në Strasburg kanë këshilluar të pritet rezultati i 28 qershorit. Por Shqipëria nuk mund të presë, pse koha është për veprim. Sigurisht që Bashkimi Evropian ka shumicën e vendeve anëtare të zhytur keqazi në darën e krizës ekonomike dhe është e vështirë për të të parashikojë harxhime e fonde shtesë për vendet e reja kandidate. Por nga ana tjetër, kjo është e vetmja rrugë ku ky bashkim duhet të kalojë. Zgjerimi i tregut të përbashkët evropian përfaqëson atë levë Arkimedi që madje përshpejton edhe daljen nga kriza të vendeve më problematike anëtare të BE-së. Edhe pse këto të fundit, të zëna me morinë e problemeve të tyre të brendshme, mund të mos duan të dëgjojnë kambanën e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Por kjo kambanë sot bie fort dhe nuk ka asnjë arsye pse asaj të mos i bjerë edhe vendi im. Nuk është papjekuri politike kjo rënie, sikurse duan ta paraqesin disa tellallë të opozitës sonë. As edhe nxitim marramendës. Është kurajo për të parë të vërtetën në sy, arritjen dhe potencialin për të shtuar shpejtësinë e integrimit. Ora, gongu i saj, ka kohë që ka rënë dhe tek ne vetëm një opozitë e trallisur nga iluzioni se mund të fitojë në zgjedhje, kërkon të mos e dëgjojë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›