E Diel, 1 Nëntor 2026

BB, 1 milion USD për rehabilitimin e kanalit ujitës të Klosit



Projekti i Bankës Botërore, për Menaxhimin e Burimeve Ujore, po financon një milion dollarë për rehabilitimin e kanalit ujitës të Klosit me gjatësi 24 km të gjatë, në rrethin e Matit. Burime nga MBUMK-ja bënë të ditur se pas rehabilitimit të digës së rezervuarit të Bazit dhe skemës ujitëse të Batrës së Vogël, për të cilat u investuan përkatësisht 700 mijë dhe 200 mijë dollarë, së shpejti pritet të përfundojnë punimet edhe në këtë vepër tjetër të rëndësishme për fermerët matjanë. Sipas MBUMK, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, inspektuan ditët e fundit, nga afër punën e bërë në këtë objekt, i cili ishte lënë në harresë prej më shumë se njëzet vjetësh. Ministrit Gjana, duke e vlerësuar ujitjen dhe kullimin si sektorë prioritarë në mbështetje të rritjes së prodhimit bujqësor vendas, u shpreh se vënia në funksionim e këtij kanali do të rivejë nën ujë 800 ha tokë, nga 1200 ha gjithsej që ujit ky kanal. Gjana tha se "meqë në muajt e dimrit nuk u punua për arsye të ngricave, është rënë dakord me firmat përkatëse që tani të punojnë me ritëm të lartë, me qëllim që në fillim të qershorit, fshatarët të vënë në përdorim ujin përmes kanalit të Klosit". Ndërkohë që pjesa tjetër e kanalit do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›