Dështon vendimi i qeverisë për kartat 200 lekë
Qindra pensionistë janë detyruar që të blejnë sërish kuponët në vlerën 1200 lekë dhe jo sa u ishte premtuar.
TIRANË- Vendimi i qeverisë, sipas të cilit që nga dita e parë e këtij muaji, të gjithë personat pa pasaportë për jashtë shtetit do të përfitonin kuponët për kartat e identitetit kundrejt 200 lekëve, megjithëse duhet të aplikohej që më datë 1 maj, pritet të fillojë vetëm ditën e sotme, ndërsa deri dje, të interesuarit kanë vazhduar t'i blejnë ato kundrejt shumës 1200 lekë.
Vetëm ditën e djeshme, Ministria e Financave i ka dërguar Postës Shqiptare udhëzimin, mbi bazën e të cilit do të pajisen me kuponë për të bërë aplikimin për karta identiteti, të gjithë personat që nuk kanë një pasaportë për jashtë shtetit.
"Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 19, datë 30.04.2009, pajisen me kuponë në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, kundrejt pagimit të tarifës prej 200 lekësh, të gjithë shtetasit që deri më datë 28.06.2009, janë 18 vjeç e lart, nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit, si dhe nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi", - citohet në udhëzimin e Ministrisë së Financave.
Shtetasit, të cilët konsiderohen përfitues sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, do të paraqiten pranë zyrave postare më një dokument identifikimi, i cili mund të jetë certifikatë, patentë, ose ndonjë dokument tjetër me fotografi, që bën të mundur identifikimin e tij.
Nga ana tjetër, nëpunësi i zyrës postare bën verifikimin e personit me listat e personave që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, të cilat i ka dërguar Ministria e Brendshme, dhe i kërkon atij të paguajë 200 lekë për marrjen e kuponit të vulosur nga ana e postës. Menjëherë pas marrjes së tij, qytetari mund të shkojë të kryejë procedurat e aplikimit pranë zyrave të pushtetit vendor.
Duhet pasur parasysh që, nga vendimi i qeverisë për ta dhënë kundrejt vlerës 200 lekë kuponin e aplikimit, do të përfitojnë vetëm ata që kanë kryer aplikimin deri më datë 20 qershor.
Pas kundërshtimeve të ashpra të opozitës dhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, qeveria vendosi disa ditë më parë që të krijonte mundësinë që, personat që ende nuk kanë një pasaportë, të pajiseshin sa më shpejt më një kartë identiteti, me të cilën do të mund të votonin në zgjedhjet e datës 28 qershor.