E Diel, 1 Nëntor 2026

Qershori ul çmimet e ushqimeve, shtrenjton naftën



Produktet ushqimore kanë pësuar ulje 2.6 për qind

Zarzavatet e frutat me ulje, drithërat rritje të lehtë

Produktet ushqimore kanë pasur ulje gjatë muajit qershor. Ulja më e madhe kryesisht ndihet në grupin e zarzavateve. Ndërsa frutat kanë pësuar një ulje shumë më të madhe se perimet. Gjatë muajit të kaluar janë ulur ndjeshëm çmimet e produkteve kryesore ushqimore të konsumit të përditshëm, por nga ana tjetër kanë shpenzuar më shumë për automjetet e tyre, pasi e kanë blerë karburantin më shtrenjtë se një muaj më parë. Në qershor, çmimi i naftës është rritur me rreth 6.8 për qind ndërsa benzina 4.6 për qind. INSTAT-i ka bërë publik dje Indeksin e Çmimeve të Konsumit në muajin qershor 2008, i cili rezulton se ka shënuar një ulje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin qershor është 4.0 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.0 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 2.6 për qind, me një ndikim prej 1.0 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 17.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të domateve me 40.0 për qind, specave me 39.5 për qind, patëllxhanëve me 35.4 për qind, bamjeve me 17.3 për qind, kastravecëve me 13.4 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 6.5 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqinit me 46.9 për qind, pjeprit me mbi 50 për qind, pjeshkave me 47.6 për qind, dardhave me 9.7 për qind etj. Gjatë muajit qershor çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve shënuan një rritje, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “bukë e drithëra” 1.2 për qind, “peshk”, 0.3 për qind, “mish” 0.1 për qind “sheqer, reçel e ëmbëlsira” 0.5 për qind etj.

Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi çmimet për këpucë u ulen me 0.3 për qind. Indeksi i nëngrupit “Transport” shënoi një rritje prej 4.0 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.2 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit qershor çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.8 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 4.6 për qind. Çmimet e transportit urban gjatë këtij muaji u rritën me 25.8 për qind, ndërsa çmimet e transportit interurban u rritën me 3.0 për qind.

Ndërsa ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga - 0.4 për qind në 0.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›