E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhuesit e veshjeve: Gjobat e larta po na falimentojnë

Fasonistët, debat me tatimorët për zbatimin e ligjit Tatimet, ligji i ri i procedurave dhe deklarimi elektronik – praktika tatimore përballë konfeksionistëve

Shqetësimet e konfesionistëve ndaj Tatimeve:

-Niveli i lartë i gjobave

-Niveli i lartë i kontrolleve tatimore

-Mungesa e profesionalizimit nga tatimorët në zbatimin e ligjit

-Pagat referuese (nuk i përgjigjen vlerës së tregut)

-Mosbërja efektive e deklarimin “online” të punësimit

Niveli i lartë i gjobave, pagat referuese dhe kontrollet e befta të administratës tatimore janë bërë tepër shqetësuese për vazhdimësinë e aktivitetit të prodhuesve të veshjeve në Shqipëri. Konfesionistët kanë vënë alarmin, pasi nga administrata tatimore janë vendosur gjoba marramendëse, që po çojnë drejt falimentimit dhe mbylljes së subjekteve që punojnë me material porositës. Për të gjetur një zgjidhje rreth këtyre çështjeve, që pengojnë ecurinë e biznesit të konfeksioneve, prodhuesit e veshjeve kanë zhvilluar një debat me drejtues së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilëve iu kanë bërë prezent vërejtjet që kanë ndaj tyre. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, zhvilluan dje në Durrës, një tryezë debati profesional mes tyre, me mbështetjen e Programit Gjerman të Bashkëpunimit Teknik, GTZ. Në debat u trajtuan probleme të biznesit fasonist (që punon me material porositësi) dhe u debatua lidhur me administrimin tatimor. Biznesi fasonist është i shqetësuar nga niveli i lartë i gjobave dhe i kontrolleve tatimore, por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e profesionalizmit në respektimin e ligjit tatimor, vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Udhëzimeve të Ministrisë së Financave për sektorin. Edhe pas debateve të shumta dhe argumentimit profesional që i është bërë nga DHKPV zbatimit të vendimit 285 të KM, për pagat referuese, inspektorët tatimorë nuk kanë mundur të verifikojnë pagat reale të sektorit fasonist, mbi të cilat paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, por në mënyrë abuzive kanë urdhëruar zbatimin e pagave referuese, të cilat nuk i përgjigjen vlerës së tregut për shërbimet e punësimit të këtij sektori. Është urdhëruar rivlerësimi i tatimeve për taksën e punës për vitin 2007, që ishte quajtur e rregullt nga administrata tatimore dhe janë vendosur gjoba marramendëse, që po çojnë drejt falimentimit dhe mbylljes së subjekteve që punojnë me material porositësi. Problem shqetësues mbetet deklarimi i punonjësve të rinj dhe dinamika e lartë e lëvizjes së këtij kontingjenti. Qeveria nuk ka bërë ende efektiv deklarimin online të punësimit, duke krijuar kosto shtesë dhe të panevojshme për bizneset fasoniste që pasohen me gjoba dhe penalitete të pastudiuara dhe abuzive. Në tryezën e debatit, anëtarët e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve ngritën shqetësime që lidhen edhe me projektet e nxitjes së punësimit dhe të kualifikimit profesional, të cilat janë quajtur të dështuara dhe joefektive për rritjen e punësimit dhe përgatitjen e punëtorëve të kualifikuar për këtë sektor. Nga ana e tyre drejtuesit më të lartë të tatimeve nga DPT dhe Dega e Tatimeve në Durrës siguruan rritjen e profesionalizmit në administrimin tatimor dhe parashtruan masat e reja të kësaj administrate në respektim të ligjit të ri të Procedurave Tatimore që tashmë ka hyrë në fuqi. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve dhe Regjistrimit të Tatimpaguesve në DPT, Erion Prifti, tha gjatë debatit se bizneset duhet të njohin më mirë ligjin e ri, ku gjejnë përgjigjen e pothuajse të gjitha problemeve të ngritura. Z. Prifti bëri të njohura të drejtat e reja të tatimpaguesve sipas ligjit dhe më pas iu kërkoi bizneseve të përfitojnë nga shërbimet e reja që ofron administrata tatimore siç është deklarimi i detyrimeve tatimore on-line, që shmang kontaktin edhe me taksambledhësin abuziv dhe jo profesional.

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, z. Edmond Rusmali, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me administratën tatimore dhe kërkoi që të njëjtën gjë të mund të bëjë më mirë edhe Ministria e Financave dhe ajo e Punës dhe Çështjeve Sociale, dikastere që qëndrojnë larg ofrimit të zgjidhjeve për shqetësimet e biznesit fasonist.

Tryezat të tillë do të zhvillohen edhe në degët e DHKPV në Shkodër dhe Korçë, gjatë muajit shtator.

Eksportet me fason rriten me 6% në 6-mujorin 2008

Eksportet e prodhimeve me fason në 6 muajt e parë të vitit u rritën me 6% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat bëhen publike nga INSTAT. Eksportet shqiptare të industrive me fason, kryesisht konfeksione, lëkurë-këpuca etj., kanë orientim tregjet e BE-së, dhe ku peshën kryesore e zë Italia, Greqia dhe Gjermania, vende të cilat janë dhe tregjet kryesore. Në vitin 2007, ky grup prodhimesh shqiptare zuri peshën kryesore dhe më të madhe të eksporteve shqiptare, me 65% në totalin e eksporteve. Rritja e eksporteve shqiptare për industritë me fason ka ecur në një vijueshmëri pozitive gjatë 10 viteve të fundit, çka tregon se Shqipëria i ka në zhvillim avantazhet për të rritur mundësitë e eksporteve të këtyre produkteve.

Tatimet shtojnë gjobat për punën e zezë e TVSH-në

Në periudhën e 10-ditëshit të parë të korrikut 2008, grupet e Task-Forcës kanë ushtruar kontroll në rrethin e Tiranës, Lushnjës, Fierit, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, Kavajës, duke verifikuar subjektet për regjistrimin e tyre në organin tatimor dhe deklarimin e punonjësve për sigurime shoqërore. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në transport për regjistrimin në organin tatimor dhe lëvizjen e dokumentuar të mallrave, në akset rrugore hyrëse të qytetit të Tiranës. Nga kontrollet e fillim muajit korrik 2008 janë arritur këto rezultate: janë ushtruar gjithsej 266 kontrolle, janë vendosur gjithsej 15 gjoba për TVSH, janë vendosur 7 gjoba me vlerë 620.000 lekë për mosregjistrim të punonjësve në sigurimet shoqërore (numri i punonjësve të padeklaruar është 62 punonjës). Në qoftë se për të gjithë muajin e qershorit 2008 janë vendosur 16 gjoba me vlerë 956.000 lekë për TVSH-në, vetëm në 10 ditët e para të Korrikut 2008 janë vënë 15 gjoba për TVSH me një vlerë prej 546.000 lekësh. Gjatë kontrolleve në transport për lëvizjen e dokumentuar të mallrave janë konfiskuar: cigare, pije alkoolike, lëngje të ndryshme, paketa cigare, mallra ushqimore, celularë. Janë kryer 11 konfiskime, nga të cilat në masë të madhe kanë qenë lëngjet e ndryshme (2070 litra). Në masë të konsiderueshme ka qenë edhe konfiskimi i birrës (1085 litra), pijet alkoolike, paketat e cigareve për mospajisje të pullës fiskale nga Ministria e Financës. Duke u bazuar në rezultatet e mësipërme, është vënë re një rritje e performancës dhe rezultateve të punës së këtij sektori.

Nafta e benzina pësojnë sërish rritje

Çmimet e karburanteve pësuan gjatë javës një tjetër rritje në tregun shqiptar, për shkak të rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Një litër nafte të shtunën u shit 160 lekë, ndërsa benzina 165 lekë. Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare shënoi gjatë kësaj jave një rekord të ri, duke shënuar vlerën e 147 dollarëve për fuçi. Shkak për këtë, sipas ekspertëve ndërkombëtarë të ekonomisë, është bërë mbyllja e një rafinerie të madhe në Iran. Ndërkohë, organizata e prodhimit dhe eksportimit të naftës (OPEC) ka lajmëruar një rritje të re të çmimit, rreth nivelit 170 USD për fuçi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›