BE: Prishtina e Beogradi të përgatiten për dialog
Bashkimi Evropian zotohet se do të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të qeverisë së re në Beograd.
Por, paraprakisht, Brukselit do ti nevojitet një fazë konsultative me palët, rreth vazhdimit të bisedimeve.
Çështja kryesore që pritet të përcaktohet është nëse dialogu do të vazhdojë të cilësohet si teknik, apo do të përfshijë në vete edhe çështjen e veriut.
Aktualisht, të dyja palët e përfshira, tregohen të rezervuara duke pritur formimin e qeverisë së re në Beograd.
Në anën tjetër, Maja Kocianqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane Kethrin Eshton thotë se Brukseli ua ka bërë të qartë palëve se dialogu do të vazhdojë.
Tani presim që të formohet shpejt qeveria e re në Beograd, dhe më pas do të konsultohemi me të dyja palët se kur dhe si do të procedojmë, por ne e kemi bërë të qartë se dialogu është në interesin e të dyja palëve, si Serbisë ashtu edhe Kosovës- thote ajo.
Sipas saj, ato janë çështje praktike që kërkojnë zgjidhje dhe do të punohet mbi këto baza.
“Presim që dialogu do të vazhdojë. E po ashtu ka çështje që duhet adresuar siç është ajo e zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura, ka thënë Kocianqiq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës pret që para vazhdimit të bisedimeve të zbatohen marrëveshjet e arritura.
Ne jemi duke menduar që të zbatohen konkluzionet e arritura deri më tani. Ato kanë qenë bisedime ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj do të shohim se si do të shkojnë gjërat.
Ne presim që ato të zbatohen, këtu garant janë BE-ja e natyrisht edhe SHBA-të dhe të tjerët dhe unë besoj se serioziteti i këtyre bisedimeve që kanë ndodhur deri më tani, cilësia e tyre por edhe përkushtimi për të ardhmen duhet të tregohet me hap konkret për implementimin e marrëveshjeve, ka deklaruar Kuçi.
Dialogu Prishtinë Beograd ka hyrë në një udhëkryq të ri, pas fitores së Tomisllav Nikolliqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi, i njohur për qëndrime nacionaliste në raport me shqiptarët dhe Kosovën.