E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita marshon pa LSI-në

Tiranë - Partia Socialiste ka paralajmëruar për një marshim qytetar në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Sipas zëdhënëses së selisë rozë Mimi Kodheli marshimi me moton “Mos Harro” do të bëhet në 15 mars në Gërdec dhe Tiranë dhe është inisiativë e kualicionit të majtë.

“Përvjetori i parë i masakrës shtetërore të Gërdecit, do të jetë dita e kujtesës dhe e protestës qytetare kundër korrupsionit. Kjo nisëm e koalicionit tonë, është e hapur për çdo qytetar përtej të majtës dhe të djathtës dhe nuk do të ketë ngjyrat e partive, por ato të flamurit kombëtar e të flamurit evropian.Kjo është një thirrje që i drejtohet gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët në 15 mars duhet të bashkohen, për të treguar se qytetarët nuk harrojnë”, tha Kodheli.

Ajo pohoi se PS nuk do të ftojë në këtë manifestim LSI-në, pasi sipas saj lideri i saj Ilir Meta është kthyer në një patericë të kryeministrit Sali Berisha.

Ka reaguar menjëherë Lëvizja Socialiste për Integrim, ku ka dënuar deklaratat e bëra nga nga tellallja e Edi Ramës. “LSI që përfaqëson opozitën e vërtetë të drejtuar nga Ilir Meta nuk ja cakton dot vendin, koalicioni i korruptuar i Bashkise dhe lejeve te ndertimit, që drejton Edi Rama. Koalicioni i Bashkise dhe lejeve të ndërtimit kërkon të përjashtojë LSI, por të gjithë e kanë të ngulitur në kujtesën e tyre se ishte Edi Rama ai që i rrahu shpatullat Sali Berishës, ditën e tragjedisë së Gërdecit”-theksoi Erisa Xhixho, nënkryetare e LSI-së.

Ajo theksoi se LSI së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar, si përfaqësuesit e vetëm e të vërtetë të së majtës shqiptare të drejtuar nga Ilir Meta, do të organizojë në datën 15 Mars në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë protesta masive kundër Qeverisë Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›