E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj pret ministrat

Tiranë -Tre ministrat kosovarë, përkatësisht, Fatmir Limaj Ministër i Transporteve, Ahmet Shala Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zhargu Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, janë pritur sot në një takim nga kryetarja e Grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj dhe kryetari i Komisionit të Integrimit pranë Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla. “Ne ndjekim me vëmendje të veçantë dhe gëzim ecurinë e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës. Vlerësojmë rolin e qeverisë kosovare, në zhvillimin e vendit dhe faktin që Kosova është kthyer në një faktor stabiliteti në rajon. Qeveria jonë pas zgjedhjeve të qershorit, do të hap një epokë të re në marrëdhëniet me Kosovën, duke ndërtuar me qeverinë Kosovës një partneritet strategjik dhe një proces bashkëpunimi të veçantë për integrimin evropian dhe mirëqenien e popullit shqiptar në të dy anët e kufirit”-theksoi Leskaj pas takimit.

Ajo tha më tej se pas ardhjes në pushtet të PS-së, “jo vetëm do të përfundojmë rrugën Durrës Kukës, por do e transformojmë rrugën e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike, në një aks strategjik zhvillimi për të mirën e njerëzve tanë e të gjeneratave që vijnë.”

“Ne jemi këtu për të inspektuar punimet në rrugën Durrës Kukës, por edhe për portin e Shëngjinit. Me kënaqësi themi se vazhdon të mbetet ajo ide, që ka qenë për një kohë të gjatë, në Shqipëri, në mekanizmat institucional të shtetit, ide e cila po konkretizohet edhe në këtë rast nga Partia Socialiste, ku pozita dhe opozita kanë një qëndrim të unifikuar në drejtim të Kosovës. Jemi shumë të kënaqur që marrim mbështetje nga të dyja palët për projekte madhore, që në fund të fundit janë projekte me interes të përbashkët”-tha ministri kosovar Fatmir Limaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›