E Shtunë, 31 Tetor 2026

BP arrin marreveshje prej 7.8 miliarde dollaresh me paditesit

Kompania e naftës "British Petroleum" ka bërë me dije se ka arritur një marrëveshje prej 7.8 miliardë dollarësh me grupin e paditësve të saj për derdhjen masive të naftës në vitin 2010. Nga marrëveshja do të përfitojnë rreth 100 mijë peshkatarë, banorë lokalë dhe punëtorë pastrimi, jetesa e të cilëve u dëmtua nga derdhja e naftës nga platforma Deepëater Horizon. Kompania nuk ka pranuar tërësisht fajin dhe ende përballet me akuza nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të ndryshme, si dhe kompani kërkimesh naftë.
Të paktën 11 punëtorë humbën jetën në prill të vitit 2010 nga shpërthimi i naftës në Gjirin e Meksikës dhe katër milionë fuçi naftë u derdhen në det .
 "BP" deklaron se pret që paratë të vijnë nga një kompensim prej 20 miliardë dollarësh që ajo kishte vënë mënjanë më parë.
"Që nga fillimi, "BP" u shpreh e gatshme për t'u përballur me detyrimet e saj ndaj komuniteteve të Gjirit të Meksikës dhe ne kemi punuar shumë për ta përmbushur angazhimin tonë për pothuajse dy vjet", deklaroi drejtori ekzekutiv i "BP", Bob Dudley.
"Marrëveshja e propozuar paraqet një progres domethënës drejt zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga aksidenti në Deepëater Horizon dhe kontribuon në përpjekjet për restaurimin ekonomik dhe ambjental të zonave përgjatë Gjirit", shtoi Dudley.
Avokatët e grupit të paditësve deklaruan nga ana tjetër se marrëveshja përbën dëmshpërblimin më të mirë për numrin më të madh të banorëve të prekur nga katastrofa ekologjike e dy viteve më parë.
Seanca gjyqësore e cila do të zhvillohej ditën e hënë është shtyrë si rezultat i marrëveshjes. Në të do të zgjidheshin kërkesat për dëmet dhe gjobat ndërsa mbetet ende i papërcaktuar faji . Presidenti amerikan Barack Obama e quajti derdhjen e naftës si fatkeqësia me e madhe që shtetet e bashkuara janë përballur ndonjëherë.
Ndërsa u deshën plot 85 ditë që të ndalej derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›