E Diel, 1 Nëntor 2026

BQE: Shënohen rënie në normën e kreditimit në Eurozonë Euribor

Norma kyç e kreditimit ndërbankar në Eurozonë Euribor, ka regjistruar rënie, i presuar nga likuiditeti që injektoi në sistem banka qendrore europiane, nëpërmjet kreditimit 3 vjeçar në gati gjysmë trilion euro, me interes 1%. Injektimi i likuiditetit u krye për të parandaluar ngrirjen e kreditit si kundërpërgjigje e thellimit të krizës në Eurozonë. Ndërkohë, të dhënat treguan se interesi 3 mujor i Euribor ra në 1.396%, kundrejt 1.404% në ditën e Martë.

Interesi tremujor i Euribor konsiderohet si matësi kryesor i kreditimit të pasiguruar ndër-bankar, si tregues i pritshmërisë për interesat dhe tregues i kërkesës bankare për kreditim. Të dhënat treguan se edhe interesat afatgjata ranë. Euribori 6-mujor ra në 1.648%, kundrejt 1.658%, ndërsa Euribori 12-mujor ra në 1.976% kundrejt 1.988% një ditë më parë. Ndërsa Euribori 1-javor, që influencohet më së shumti nga teprica e likuiditetit në sistem ra në 0.846%, kundrejt 0.853% një ditë më parë.

Sipas të dhënave të Reuters, teprica në sistem qëndron e lartë në 470 miliardë euro. Edhe norma Eonia, e shkëmbimit përgjatë natës, ra në 0.422% kundrejt 0.509% më herët. Por megjithatë vlerësohet se bankat europiane vijojnë të mos kenë besim tek njëra tjetra. Statistika e Bankës Qendrore Europiane tregoi se bankat preferojnë të depozitojnë në bankën qendrore dhe të mos kreditojnë njëra-tjetrën. Depozitimi në ditën e Martë ishte 412 miliardë Euro. Në nivel të lartë është edhe borxhmarrja përgjatë natës që qëndroi përmbi 6 miliardë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›