METE shtyn dy javë tenderin për privatizimin e OSSH-së
Shtyhet tenderi për privatizimin e OSSH-së. Kjo është bërë e ditur dje nga burimet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Këto burime njoftojnë se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikes në bashkëpunim me IFC-në kanë punuar intensivisht për përfundimin e procesit te privatizimin të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili ishte parashikuar të hapej në datën 15 shtator 2008. Zyrtarët e METE-s bëjnë me dije se për të garantuar një pjesëmarrje sa më të gjerë të kompanive të parakualifikuara në ditën e hapjes së tenderit, pala shqiptare në konsultim me IFC-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që kanë qenë të përfshirë në këtë proces, ka bërë disa ndryshime në dokumentet e tenderit për ta bërë këtë proces me tërheqës për investitorët e parakualifikuar, si dhe për të mundësuar optimizmin e ofertave të pritshme. “Në mënyre që t’u jepet më shumë kohë kompanive të parakualifikuara për të modifikuar ofertat e tyre në përputhje me ndryshime e bëra se fundmi; si dhe në vijim të kërkesave jo vetëm të disa prej kompanive pjesëmarrëse, por edhe të partnerëve tanë, si Banka Botërore, USAID dhe IFC, u vendos shtyrja e datës së hapjes së tenderit me dy javë të tjera, për në 29 shtator 2008”, - bëjnë me dije burimet zyrtare të METE-s. Ky veprim, sipas tyre, jo vetëm do të garantojë një pjesëmarrje më të madhe në proces, por do të optimizojë interesin e shtetit shqiptar në realizimin e këtij privatizimi shumë të rëndësishëm për vendin tonë.