E vërteta duhet thënë sido që të jetë
Vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka ka ngërthyer opinionin publik në mëdyshjen e natyrshme nëse kemi të bëjmë me një vdekje aksidentale apo me një vrasje të tipit mafioz për të varrosur së bashku me këtë dëshmitar edhe dijenitë e tij në lidhje me trafikun e mundshëm të municioneve. Nxitimi për ta etiketuar këtë vdekje si të inskenuar dhe me prapavijë politike është po aq e dëmshme sa edhe pranimi a priori i faktit se ai ishte një aksident si dhjetëra aksidentet e tjera rrugore që ndodhin çdo javë në Shqipëri. Përsiatjet dhe paranojat për një rrjet të organizuar kriminal që i morën jetën Kosta Trebickës për të frenuar daljen jashtë kontrollit, duhet të mbahen nën kontroll, pasi shkojnë ndesh me interesin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Qytetarët janë të prirur natyrshëm të besojnë se një dorë e fshehtë qëndron pas vdekjes së biznesmenit Trebicka. Ngulmimi tek kjo paranojë (përderisa të jetë e pafaktuar) nga ana e opozitës dhe e medias do të krijonte një gjendje ankthi dhe frike në opinion publik, do të shkonte përkundër të gjitha atyre që vendi ynë ka bërë deri më sot, për të qenë më afër se kurrë integrimit euroatlantik. Një çështje e tillë ka nevojë për durim e maturi, për mënjanim të përfitimeve politike të momentit, për të krijuar një terren të përshtatshëm për organet hetimore dhe një gjendje të pangarkuar emocionale ndër qytetarët që mezi presin të kuptojnë të vërtetën. Deklarata të tilla, që akuzojnë Kryeministrin Berisha, janë sa të pabaza aq edhe të pamoralshme, sa edhe në rast të ekzistencës së një krimi dërgojnë ujë në mullirin e vrasësve. Sali Berisha është ndoshta faktori i vetëm që nuk kishte asnjë lloj interesi që kjo të ndodhte. Nëse Kosta Trebicka është vrarë, atëherë Sali Berisha është viktimë e një inskenimi dhe për këtë s’ka as më të voglin dyshim. Nëse Kosta Trebicka ka vdekur në një aksident rastësor, atëherë ne kemi humbur një dëshmitar që mund të hidhte dritë mbi aferën e tregtisë së armëve drejt Afganistanit. Sidoqoftë, në këtë rast media duhet të kujdeset për të mos përhapur panik në opinionin publik. Nuk është momenti që për të rendur drejt thashethemit, por momenti për të qenë të matur. Raste të tilla kërkojnë të hiqet dorë nga hulumtimet e përsiatjet, kërkojnë një qëndrim të rreptë ndaj faktit, konsiderimit të mbledhjes së tyre si një mision i shenjtë për çdo gazetar. Nuk duhet harruar se sytë e shqiptarëve janë të drejtuar drejt medias dhe organeve hetimore, çdo pakujdesi shkakton tronditje dhe frikë. Prokuroria tashmë ka radhën të veprojë dhe të flasë shpejt. Retorika boshe e drejtuesve të këtij institucioni duhet të marrë fund për t’i lënë vendin veprimeve efikase që krijojnë siguri tek qytetarët shqiptarë. Ina Rama duhet të dalë sa më parë dhe të na thotë se çfarë ka ndodhur me Kosta Trebickën. Sido që të jetë e vërteta, ajo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Nëse Trebicka vdiq nga një aksident, atëherë opinioni publik le të ndiejë dhimbje si për çdo jetë tjetër të humbur, e le të qetësohet nga makthet e mafies që na lëviz nëpër ekrane. Nëse Trebicka është vrarë, atëherë të na thonë se nga kush dhe përse. Shoqëria shqiptare ka nevojë për të vërtetën që të mbajë gjallë shpresën se forca e së drejtës tejkalon fuqinë e çdo soj kriminaliteti. Kosta Trebicka, përpos të tjerave, ishte edhe qytetar amerikan dhe kjo është edhe një siguri më tepër për zbardhjen e së vërtetës së këtij rasti. Shteti amerikan qëndron afër shtetasit të tij dhe në këtë rast shqiptarët janë më të interesuar se kurrë që SHBA-të ta bëjnë këtë. Nëse opinioni publik nuk ka besim në institucionet shqiptare referuar kësaj ngjarjeje, atëherë institucionet amerikane duhet ta bëjnë këtë. Të gjithë do të ishim më të qetë pas kësaj, sido që të jetë e vërteta.