Fullani në Kukës: Sistemi bankar, nxitës i zhvillimit ekonomik
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, ka zhvilluar dje një takim rajonal me temë “Sistemi bankar: nxitës i zhvillimit ekonomik” në qytetin e Kukësit. Në të morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi, kryetari i Bashkisë së Kukësit dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Gjok Uldedaj, kryetari i komunës së Prizrenit, drejtues të lartë të sektorit bankar shqiptar, si dhe drejtues e pedagogë të degës së Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Kukës. Fjalimin kryesor në takim e mbajti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Ai trajtoi çështje që lidhen me zhvillimet më të fundit të ekonomisë ndërkombëtare, me situatën ekonomike në vendin tonë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të përgjithshëm (ekonomik, financiar e kulturor) të Qarkut të Kukësit. Fullani bëri një paraqitje të shpejtë të zgjerimit gjeografik dhe shtimit të shërbimeve të sistemit bankar shqiptar. Nga ana tjetër ai theksoi: “Ne si institucion, kemi marrë një sërë masash për të rritur kujdesin në drejtim të stabilitetit të sistemit bankar. Zhvillimi i vrullshëm i sistemit bankar dhe rritja e konkurrencës kanë rritur domosdoshmërinë për marrjen e masave konkrete nga ana e Bankës së Shqipërisë për disiplinimin më të mirë të sistemit bankar në drejtim të vlerësimit të rreziqeve që lidhen me kredinë”. Guvernatori ka vënë në dukje edhe potencialin e Qarkut të Kukësit për t’u shndërruar në një zonë me ekonomi të zhvilluar, me burime njerëzore të kualifikuara, turizëm malor, etnografik dhe kurativ, me një infrastrukturë rrugore bashkëkohore, si edhe me aktivitet tregtar dhe bashkëpunim ndërkufitar të zhvilluar.