Fullani: Dërgesat e emigrantëve ruajnë stabilitetin financiar
Paratë që dërgojnë emigrantët, përveç faktit që janë një ndihmë e konsiderueshme për familjet shqiptare, ndihmojnë shumë edhe në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Kështu e ka cilësuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, procesin e remitencave në vendin tonë, në një takim të zhvilluar me drejtues lokalë në qytetin e Kukësit. Guvernatori ka cilësuar se këto prurje valutore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e konsumit dhe në një nivel më të ulët, në përballimin e nevojave për investime kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe në biznese të vogla familjare. Sipas tij, këto dërgesa valutore, kanë kompensuar deri diku edhe produktivitetin e ulët të fuqisë punëtore dhe efektet negative të papunësisë. “Përtej kësaj, ato kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar, duke krijuar raporte më të balancuara ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve”, - tha Fullani. Ai ka sqaruar me tej rëndësinë e dërgesave valutore nga emigracioni, si cila do të jetë perspektiva e tyre dhe si mund të menaxhohen në mënyrë më efektive. Fullani bëri me dije se për një periudhë të gjatë kohe, këto burime financiare kanë rezultuar jetike për vendin tonë. Duke iu referuar një vrojtimi për tremujorin e parë të vitit 2008 të Bankës së Shqipërisë, rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e këtyre të mësipërme jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj. Guvernatori ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e të ardhurave nga emigrantët, për tremujorin e parë të vitit 2008 janë përdorur (rreth 70 për qind) për qëllime joproduktive. Kështu, rreth 48 për qind e dërgesave janë orientuar drejt shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe lloje të tjera të shpenzimeve për konsum si orendi shtëpie etj. Rreth 16 për qind e kursimeve përdoren për ndërtimin, rregullimin e ambienteve të banimit, 10 për qind e dërgesave të emigrantëve janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor. Ndër përdorimet produktive duhet të përmendim që rreth 19 për qind e dërgesave të emigrantëve janë me destinacion investimet e kursimet, rezultat i cili flet për ndikimin ekonomik të këtyre dërgesave në vend. “Pavarësisht statistikave të mësipërme, e ardhmja gjithmonë mbart pikëpyetjet e veta. Natyralizimi i shqiptarëve në vendet e huaja, situata ekonomike dhe financiare e këtyre vendeve edhe ndonjë arsye tjetër ndikojnë negativisht në horizontin afatgjatë. Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se vështirësitë ekonomike, të shprehura në ngadalësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe inflacionit që kanë përfshirë ekonomitë e zhvilluara kanë ndikuar edhe ecurinë e dërgesave, të cilat këtë vit janë rritur më pak se vitet e mëparshme. Studimet empirike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se një ndërprerje e këtyre flukseve do të vinte në vështirësi serioze modelin tonë të konsumit dhe ekuilibrin afatgjatë të sektorit të jashtëm të ekonomisë”, - tha Fullani.