Rruga Durrës-Kukës, tuneli 5.5 km përfundon në 65 %
Segmenti Rrëshen-Kalimash i rrugës Durrës-Kukës s’po avancon me shpejtësi. Të dhënat nga Ministria e Transporteve bëjnë të ditur se puna në tunelet në Kalimash, ka përfunduar në masën e 65-përqindëshit. Kompania amerikane “Bechtel” dhe nënkontraktori turk “Enka”, të cilët po ndërtojnë segmentin Rrëshen-Kamimash pritet që të përfundojnë shpimin e dy tunele paralele me nga dy korsi brenda këtij viti. Njëkohësisht puna ka avancuar më tej në të gjithë këtë segment prej 60 kilometrash. Segmenti Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, është më i vështiri, pasi brenda këtij segmenti do të ketë edhe 27 ura, më e madhja 400 metra. Segmenti Rrëshen-Kalimash është ndarë në tri pjesë. Pjesa e parë, Rrëshen-Reps, me gjatësi 19.5 kilometra, pjesa e dytë, Reps-Thirrë, me gjatësi 26.5 kilometra dhe pjesa e tretë, Thirrë-Kalimash, me gjatësi 14.8 kilometra. Gjerësia e trasesë së rrugës është 26 metra, ndërsa shpejtësia e parashikuar për lëvizjen e mjeteve në autostradë, është 80-100 kilometra në orë. Në gjithë këtë segment po ndërtohen 27 ura, me një gjatësi të përgjithshme prej 4 kilometrash dhe me një lartësi që arrin deri në 93 metra. Traseja e urave po ndërtohet me traversa 40-metërshe, me peshë 140 ton. Për të gjitha urat do të ndërtohen gjithsej 615 panele, ndërsa deri tani janë ndërtuar 352 panele, nga të cilat 187 panele janë instaluar. Në katër nga të 27 urat, puna ka përfunduar, ndërsa në të tjerat vazhdon të punohet me ritme të shpejta, kryesisht për shtrimin e paneleve, pasi ngritja e këmbëve thuajse ka përfunduar tek të gjitha. Në segmentin Rrëshen-Kalimash deri tani janë gërmuar mbi 24.2 milionë metra kub dhe janë hedhur mbi 146 mijë metra kub beton - në ura, mure mbajtëse e tunel. Kompania ka punësuar 4 mijë punonjës vendas e të huaj, kryesisht turq. Investimi në rrugën Durrës-Kukës është kolosal, por njëkohësisht janë duke u ndërtuar disa dhjetëra rrugë nacionale në të gjithë vendin. Nga 3650 km rrugë totale që ka Shqipëria, 429.3 km janë në proces ndërtimi e sipër aktualisht në vendin tonë. Disa prej tyre janë projekte të nisura kryesisht gjatë 2 viteve të kaluara dhe një pjesë tjetër të nisura këtë vit. Janë rreth 130 projekte për ndërtimin e rrugëve në vendin tonë që janë në zhvillim e sipër, ndër të cilat 66 janë më të rëndësishmet, ku përfshihen këtu rrugë nacionale, urbane apo turistike. Nga këto, 14 janë rrugë nacionale ku ndër projektet më të rëndësishme përfshihet projekti Durrës-Kukës, projekt ky i ndërlikuar sipas ekspertëve, dhe që kap një vlerë prej gati 6 miliardë lekë, dhe zë gati gjysmën e buxhetit të shtetit në investimin total për sektorin e rrugëve. Durrës-Kukës-Morinë, e ndarë në disa segmente po ndërtohen me lote të ndara. Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, ky projekt i madh dhe i ndërlikuar për sa i përket planifikimit të tij buxhetor është i ndarë në 13 projekte të tjera. Investimi total i saj deri tani është sa gjysma e totalit të përgjithshëm të investimeve dhe është e ndarë sipas vlerave të segmenteve me të cilat po punohet. Sipas statistikave, kjo rrugë është e përfunduar në 70% të saj, ndërkohë që pjesa tjetër po pret të ardhurat që do të vijnë nga shitjet e pritshme të privatizimeve të ARMO-s apo Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.