Tirana dhe Prishtina të mbrojnë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve nën Serbi
Deri më tani, nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk u arrit së paku nga dy Parlamentet të përgatitet dhe miratohet ndonjë deklaratë, pse jo edhe nga një rezolutë lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të mbetur nën administrimin e Serbisë. Diplomacia e Tiranës dhe politika e Prishtinës, së bashku me dy akademitë tona, nuk duhet të presin që dikush ua kryen punët e shtëpisë. Ata duhet të ulen sa më parë dhe të përpilojnë një platformë dhe program, të unisojnë, harmonizojnë qëndrimet lidhur me çështjen e pazgjidhur të kësaj krahine shqiptare.
* * *
Me të drejtë, ne popullata shqiptare nga Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës jemi duke pritur nga Tirana dhe Prishtina që ta ngrenë zërin, mbrojnë dhe përfaqësojnë edhe interesat e shqiptarëve nga kjo hapësirë etnike shqiptare. Të ngrihet zëri, shtrohet dhe të mbrohen të drejtat që na takojnë si ato individuale dhe ato kolektive në të gjitha instancat ndërkombëtare. Kjo duhet të rrjedhë së pari pas konsultimeve e këto të jenë të rregullta, intensive me pushtetin lokal dhe subjektet nga tri komunat. Kjo të mos jetë sa për të thënë dhe arsyetuar para opinionit. Por thjesht shteti shqiptar është anëtar i barabartë i Këshillit të Sigurimit dhe kjo çështje të ngrihet para kësaj organizate të OKB-së. Kurse Kosova mund ta ngrejë këtë çështje në nivele të tjera, po ashtu që mund të njoftojnë dhe sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar që çështja e shqiptarëve të kësaj krahine po pret dhe duhet gjetur një zgjidhje e drejtë. Në këtë krahinë me shumicë shqiptare në Serbi, situata është tejet e keqësuar, që nga viti 1990 e këndej. Banorët atje ende janë duke u përballuar me shumë të papritura, përveç udhëheqësve të tyre të ndarë e përçarë në tetë subjekte politike, që është shqetësuese e mbi të gjitha është me institucionet e dy shteteve tona lidhur me qëndrimin jo të prerë ndaj çështjes së pazgjidhur të kësaj krahine.
Të nderuar anëtarë të dy akademive tona, profesorë të tjerë me tituj të lartë shkencorë të instituteve të ndryshme dhe nga të gjitha universitetet ku do që punoni. Liderë të partive politike në Shqipëri dhe Kosovë, të pozitës dhe opozitës, ministra, deputetë, ambasadorë, konsuj dhe përfaqësues të tjerë të zgjedhur dhe emëruar të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe personalitete me ndikim në jetën publike dhe politike. Të nderuar veprimtarë të ndryshëm të të gjitha kohërave, e ndjeva për borxh dhe mora guximin t’ju drejtohemi në këtë formë përmes kësaj letre, pa dashur fare të ul kontributin e asnjërit nga ju. Si banorë nga kjo pjesë e hapësirës sonë etnike, që më shtyu më së shumti, është edhe një lloj reagimi me njëfarë mënyre të rrjedhave që janë duke u zhvilluar në ato pjesë.
Ajo që më shtyu kur ne nuk kemi ende të qartë se cila duhet të jetë zgjidhja dhe cilat rrugë duhet të ndiqen për ta arritur qëllimin.
Veçmas unë e besoj edhe opinionin gjithëshqiptar, kur nuk jemi treguar unik:
- Se a duhet shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë.
- Se a kanë nevojë të marrin pjesë në trupin koordinues
- Se a duhet të formojnë Këshillin Nacional sipas ligjeve serbe
- Thirrjen në rezultatet e referendumit të mbajtur më 1 e 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën apo për një autonomi politiko-territoriale
- Në pikat e arritura të marrëveshjes së Konçulit, që të plotësohet apo shpallet si e vdekur kjo marrëveshje . Dhe çështje të tjera.
Cilat janë hapat e gabuar që ka udhëhequr Shqipëria dhe Kosova kundrejt kësaj krahine shqiptare pas qershorit 1999 e deri më sot?
Gabimet ishin edhe të dyanshme, pra të udhëheqësive vendore të tri komunave dhe të bartësve politikë dhe institucionalë të Tiranës dhe Prishtinës.
Kësaj here po paraqesim vetëm gabimet e institucioneve të dy shteteve, sepse të vendorëve i kemi paraqitur më herët në një publikim, kurse kur t’i përshkruajmë edhe gabimet e institucioneve të Republikës së Serbisë dhe të faktorit ndërkombëtar, atëherë themi se i kemi paraqitur nga katër këndvështrime problematikën e kësaj krahine.
- Nuk u mor parasysh se në çfarë pozite kanë mbetur popullata me rastin e tërheqjes së forcave vrastare prej Kosovës, duke u stacionuar dhe përqendruar në këto hapësira.
- Nuk u ngrit me kohë problematika e kategorisë të të zhvendosurve që nga fillimi i luftimeve në mes të forcave të ushtrisë serbe dhe UçPMB-së.
- Nuk është bërë regjistrimi i të zhvendosurve, pranimi dhe vendosja nëpër objekte banimi kolektiv, më lehtë do të dihej dhe pranohej edhe nga ndërkombëtarët, ka ende të zhvendosur prej andej.
- Asnjëherë nuk u ngrit çështja se ku janë shqiptarët që kishin prona dhe pasuri të patundshme nëpër qytete të Republikës së Serbisë si Beogradi, Nishi, Leskoci, Vranjë, Novi Sad etj.
- Pas përfundimit të luftimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Konçulit, nuk u zu në gojë kjo marrëveshje.
- Referendumi i mbajtur më 1 e 2 mars 1992, jo që nuk u përmend, por u harrua fare, sikur të mos kishte ndodhur.
- Për mosnjohje të diplomave nga dy shtetet, në kohën kur nuk ka media dhe ka ngufatje të informimit në gjuhën shqipe
- Nuk u bë krahasimi në mes të të drejtave që po kërkon vazhdimisht Serbia për bashkëvendësit e saj, pra për serbët lokalë të Kosovës. Po ato të drejta duhet dhe ju takojnë edhe shqiptarëve që jetojnë anekënd Serbisë e veçmas në Komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
- Nuk mbështetën dhe nuk paraqitën arsyeshmërinë për unitet dhe domosdoshmërinë e themelimin të Këshillit Nacional të shqiptarëve .
- Nuk ngritën çështjen e mungesës së përkujdesjes shëndetësore, ku shqiptarët në Serbi që përbëjnë mbi 100 mijë banorë, ende nuk kanë spital regjional, por bredhin për shërim herë në Prishtinë, Nish, Shkup e Beograd.
- Pse nuk përkrahet hapja e një universiteti publik në gjuhën shqipe.
- Përdorimi i flamurit ende është çështje e pazgjidhur në tri komunat e cekura .
- Asnjëherë nuk u tërhoq një paralele krahasimore për investimet se sa janë bërë për kthim të serbëve lokalë të Kosovës dhe të të zhvendosurve të ardhur nga andej që janë në Kosovë.
- Cepotini, një bazë ushtarake e ushtrisë serbe, ku janë vendosur pjesëtarët e xhandarmërisë dhe forcave elite speciale. Ky objekt ushtarak, më i madhi në rajon, ku janë ndarë nga qeveria e Serbisë 17 milionë euro. Gjashtë kilometra afër qytetit të Bujanocit, është rrezik për tërë rajonin e Ballkanit e aq më shumë kërcënim dhe presion psikik për mbijetesën e banorëve shqiptarë në këto hapësira.
- Në tri komunat e cekura më lartë mungon liria e lëvizjes veçmas në Komunën e Medvegjës, Karadakë të Preshevës dhe Malësinë e Bujanovcit.
- Opinioni i Kosovës dhe masmediat tona sikur nuk patën interesim fort për zhvillimet që po rrjedhin brenda Serbisë dhe qëndrimit të saj ndaj shqiptarëve.
- Nuk u shfrytëzua koha dhe momenti historik që gjatë bisedimeve të delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë nën prezencën e faktorit ndërkombëtar, përfundimisht të hapet kutia e Pandorës lidhur me ndërtimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke e shtruar në tavolinë edhe çështjen e kësaj krahine dhe pasuritë e shqiptarëve nëpër qytete të Serbisë.
- Nuk u ndërtua një qëndrim, platformë a strategji afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, se çfarë dhe si t’i artikulojnë kërkesat e ne shqiptarëve nga kjo pjesë.
- Institucionet e Shqipërisë e Kosovës dhe partitë politike gabuan shumë rëndë kur gjatë konsultave se a duhet apo jo të marrin pjesë në zgjedhjet nacionale nuk na udhëzuan drejt!
Institucionet e dy shteteve tona është dashur t’ju japin instruksione të qarta partive politike të kësaj krahine, që duhet të marrin pjesë në zgjedhje nacionale serbe, por me kusht :
- I - Nëse ju garantohen pesë vende në Parlamentin e Serbisë dhe tri vende mund t’i fitojnë me vota të drejtpërdrejta, përndryshe asesi jo.
- II – Ku së bashku me deputetët e minoriteteve të tjera në Serbi si boshnjakët e Sangjakut, hungarezët e Vojvodinës, bullgarët dhe romët do të krijonin një klub të deputetëve të pakicave, por edhe do të udhëheqin ministrin për minoritete edhe atë me rotacion!
B – Asnjëherë në vija institucionale të dy shteteve nuk është debatuar në Parlamente me një pikë rendi të punës që të ngrihet çështja për shqiptarët nga Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
Si të veprohet dhe të ndërtohet një qëndrim institucional nga Shqipëria dhe Kosova kundrejt çështjes së kësaj krahine
Institucionet e dy shteteve, së bashku pozitë dhe opozitë, njerëz me ndikim në jetën publike, e politika në bashkëpunim të plotë me dy akademitë të bashkërendojnë qëndrimet, e të shkruhet një program, strategji, veprim, gjithmonë në konsultim të ngushtë edhe me miqtë amerikanë dhe faktorin ndërkombëtar politik edhe me subjektet nga kjo pjesë. Formimi i një departamenti në kuadër të një ministrie është me rëndësi jetike. Por hapja e tyre është po aq me rëndësi sa edhe njerëzit që do të punojnë dhe zgjidhen. Këta zyrtarë duhet të jenë nga ajo pjesë, por mbi të gjitha që i njohin rrethanat. Kjo është dashur të bëhet që pas konfliktit të armatosur në mes të forcave serbe dhe UçPMB-së të vitit 2000/2001. Departamenti duhet të jetë koordinues, ndërlidhës, por shumë efikas. Në kuadër të një ministrie duhet të themelohet një departament edhe për shqiptarët në Mal të Zi dhe çamëri dhe për diasporë.
çfarë pune dhe roli mund të luajnë këto departamente !
Të marrin dhe grumbullojnë të dhëna të sakta dhe zyrtare për të zhvendosurit dhe shpërngulurit e luftës për pasuritë e tyre të patundshme që kanë atje. Të hartojnë një strategji se kush mund të kthehet prej kategorisë së të zhvendosurve, kjo temë duhet të ngrihet dhe të jetë tema bosht. Të kërkojnë mjete dhe donatorë për kthimin e atyre të zhvendosurve që dëshirojnë të kthehen, nëse u krijohen kushte paraprakisht dhe ka siguri të mjaftueshme. Të shikohet mundësia se cilat janë mundësitë për rregullimin e dokumentacionit për posedimin e dy nënshtetësive. Do të pranohej edhe zyrtarisht nga të gjitha instancat numri i të zhvendosurve, më e rëndësishmja është të pranohen nga organet serbe dhe ndërkombëtarët. Të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet lokale të tri komunave. Për regjistrimin e kësaj kategorie të vlerësohet në nivel më të lartë se a duhet të marrin pjesë në këto regjistrime të popullatës si kosovarë apo si të zhvendosur. Të zhvendosurit do të përfitojnë mjaft, ata do të kthehen të jetojnë prej nga kanë ardhur apo do të investohet për t’u integruar në jetën kosovare. Duhet të mbajë edhe kontakte me përfaqësi të huaja si OSBE, UNHCR dhe me qeverinë qendrore të Republikës së Serbisë në Beograd. Hapja e kësaj teme tabu shënon shkrirjen e kësaj teme, lidhur me qëndrimin që kanë mbajtur institucionet e dy shteteve, do t’i ndihmonte edhe njohjes më të mirë. Serbia nuk do të ketë kohë të merret me çështje të tjera, por do të ballafaqohet edhe me qëndrimin që mban ndaj shtetasve të vetë.
Përfaqësuesit e tetë partive politike që veprojnë në këtë krahinë do të orientohen në kohë dhe hapësirë se si ta ngrenë, shtrojnë dhe mbrojnë çështjen e tyre jetike për çka edhe kanë mandatin e popullit që e përfaqësojnë. Ne shqiptarët arritëm të formojmë një këshill ndërpartiak të partive shqiptare në ish- ngrehinën artificiale të quajtur Jugosllavi. Po neve, nga kjo ish-hapësirë na mungojnë takime dhe konsulta të niveleve të ndryshme. Duhet të mendojmë drejt se raportet shqiptaro-serbe ende janë të ngrira, janë raporte shumë të ftohta gati edhe të një lufte të heshtur dhe të pashpallur. Pasi t’i marrim këto shumë seriozisht atëherë duhet vepruar, që pas të gjitha atyre që kanë ndodhur, duhet të kemi një marrëveshje në mes të dy popujve më të mëdhenj në këto pjesë të Ballkanit. Përcaktimi dhe ridefinimi i kufijve në mes të dy popujve duhet të ndodhë patjetër, kur do të ndodhë, varet po ashtu jo vetëm nga ne, por edhe nga nevoja dhe interesi i faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar. Për fund, paralajmërimet se do të organizohen bisedime praktiko-teknike midis Kosovës dhe Serbisë, duhet të përgatitemi për të gjitha mundësitë dhe alternativat e mundshme. Në këto bisedime duhet të shtrohet drejt dhe me kompetencë edhe çështja e pazgjidhur e shqiptarëve nga kjo krahinë e mbetur nën administrimin e Serbisë.
#