E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Nëse digjen fletët, do të përvëlohet Kryeministri

Deputeti socialist paralajmëron mazhorancën dhe kërkon transparencë

“Nëse KQZ dhe Sali Berisha do të djegin fletët e votimit atëherë ata do të digjen edhe vetë”. Kështu u shpreh dje në televizionin “Alsat”, sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka rikonfirmuar edhe njëherë vendosmërinë e saj për të zbardhur atë çfarë ka ndodhur në 28 qershor 2009. I pyetur për kuptimin politik të këtij deklarimi, Balla nuk ka lënë vend për keqkuptime; “do të digjen me të gjitha kuptimet e kësaj fjale”, ka shtuar ai. Prononcimi në fjalë merr shkas nga afrimi i kohës së asgjësimit të fletëve të votimit, i cili detyrohet të kryhet në momentin që Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve lokale. Ky proces është paralajmëruar nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili ka sqaruar me këtë rast se institucioni që ai drejton do të zbatojë ligjin. Por për opozitën fletët e votimit janë më shumë sesa pjesë e logjistikës zgjedhore; ato janë një provë që siguron të vërtetën e kërkuar prej kohësh nga PS dhe aleatët e saj. Kjo është nënvizuar nga deputeti socialist teksa ai ka deklaruar se “fletët e votimit janë prova e krimit elektoral të 28 qershorit”. është me rëndësi të risillet përpara opinionit shqiptar një qëndrim i tillë, pse ai bën me dije se evoluimi i situatës politike në vend dhe kalimi i kohës nuk ka ndikuar aspak në tërheqjen e selisë rozë nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve. “Ne nuk do të tërhiqemi në asnjë moment pa bërë transparencën e 28 qershorit”, u shpreh Balla në një rikonfirmim të vendimit të fundit të Grupit Parlamentar i cili riktheu marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›