“Banda e Durrësit”, gjykata zbulon mashtrimin e avokatit
Maratona e shtyrjeve të njëpasnjëshme të gjyqit për “Bandën e Durrësit” vazhdon. Mashtron gjykatën se ishte në një gjyq tjetër me rëndësi, zbulohet gënjeshtra e avokatit të “Bandës së Durrësit”. Megjithatë, me zbulimin se avokati kishte gënjyer, trupa gjyqësore shtyu seancën e djeshme, ndërkohë që deklaroi se do lajmëronte Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë për këtë avokat dhe do merrte masa për sjelljen e tij. Bëhet fjalë për avokatin Riza Hicka, që mbron në këtë proces të pandehurin Indrit Taullaj, i cili kishte dërguar para gjykatës një justifikim se nuk mund të paraqitej në gjyqin e “Bandës së Durrësit”, e caktuar qysh dy vjet më parë, se do zhvillohet ditën e enjte, pasi kishte një gjyq tjetër me rëndësi dhe se duhej të ishte i pranishëm. Gjykata e Krimeve të Rënda ka bërë verifikimet e saj për këtë pretendim të avokatit Hicka, nga ku ka rezultuar se ai nuk kishte asnjë gjyq, por ishte përpjekur të mashtronte trupën gjyqësore me qëllim shtyrjen e gjyqit. Kjo solli shtyrjen e gjyqit, por me propozim për t’u marrë masa ndaj këtij avokati.