Shalsi: Ligji mbi SHISH, kusht për bojkotin
Selia rozë i shton paketës së kushteve për të hyrë në Parlament edhe propozimet për ndryshimin e ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputeti Eduard Shalsi bëri me dije dje se kjo parti nuk do e lejojë uzurpimin e këtij institucioni. “Ne jemi të vendosur të ndalojmë çdo përpjekje të Sali Berishës për të uzurpuar këtë institucion dhe nëse Sali Berisha nuk tërhiqet publikisht nga kjo iniciativë, atëherë SHISH-i do të jetë një tjetër kusht për kthimin e opozitës në Parlament”, tha ai.
Sipas Shalsit, kjo është përpjekja e dytë, që kur Berisha erdhi në pushtet, pas tentativës së parë të dështuar për ta pasur Shërbimin Informativ nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme.
“Gjatë kohës kur Sali Berisha ishte President i vendit, kemi qenë dëshmitarë të degradimit që pësoi ky institucion dhe të deformimit të plotë të rolit të tij. Të gjithë e kujtojnë SHIK-un famëkeq që përdorej tinëzisht për të ndjekur dhe survejuar opozitën”, tha Shalsi.
Sipas tij, amendamentet e reja të propozuara në ligj nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me përmirësimin dhe fuqizimin e rolit të Shërbimit Informativ, por përkundrazi e çorientojnë dhe e hallakasin plotësisht atë, duke e larguar nga objektivat kushtetuese dhe duke e afruar me objektivat personalë të Sali Berishës. Deputeti socialist vuri në dukje se përditë e më tepër po kuptojmë se si brendësia e ligjeve që po na servir Sali Berisha, po tregon edhe një herë fytyrën e vërtetë të tij dhe qeverisë së tij, që po prodhojnë legjislacion, duke u kujdesur vetëm për interesat e tyre private dhe aspak për të mirën dhe interesin publik, duke cenuar në këtë mënyrë rëndë kolonat mbi të cilat ngrihet një shtet demokratik. Ky qëndrim vjen pak ditë pasi faktori ndërkombëtar i akredituar në kryeqytetin shqiptar kërkoi që ky ligj mbi Shërbimin Informativ Kombëtar të rishikohet. Përmes deklaratave, zyrtarët e ambasadës amerikane dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian këmbëngulën se ligji i ri cenon pavarësinë e këtij institucioni kushtetues.
#