Shkodër, ALUIZNI shpërndan 150 leje legalizimi
ALUIZNI ka shpërndarë rreth 150 leje legalizimi për qarkun e Shkodrës. Në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18.000 objekte informale nga të cilat për 12 688, janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi i tyre. Për 8 627 objekte është kryer e gjithë procedura ligjore dhe tashmë ato janë të dixhitalizuara e të gatshme për qytetarët, të cilët mund të shkojnë të pajisen me lejen e legalizimit, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit.
Në qarkun Shkodër është miratuar shpërblimi sipas vendimit te qeverisë për 51 familje ish- pronarësh. Për 705 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë. Në takimin e organizuar për këtë vendim, ka marrë pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI- t, Shaban Memia, Prefekti i Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi dhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka. Memia, në këtë takim tha se procesi po ecën sipas të gjithë hapave ligjorë dhe tashmë janë gati lejet për mijëra objekte informale në të gjithë vendin. Gjithashtu, Memia, theksoi se tashmë ju takon qytetarëve që të shkojnë dhe të shlyejnë të gjitha detyrimet për tu pajisur me lejen e legalizimit.