E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat elektronike, skadon afati për bizneset e mëdha

01/06/2009  Kundërvajtjet

Skadoi dje afati për pajisjen me kasën regjistruese për bizneset e mëdha. Ndërsa bizneset e vogla në Tiranë kanë afat deri në dhjetor të këtij viti që të vijojnë pasjen me këto kasa. Ministria e Financave ka licencuar kompanitë pranë të cilave mund të gjenden këto pajisje. Mjafton që ajo të instalohet dhe të vihet në përdorim. Administrata tatimore bën të ditur se kjo vetëm bizneset, por edhe blerësit që nuk do të pajisen me kuponin tatimor do të gjobiten. “Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1 mijë lekë. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit ku kryen shkeljet”, - thekson ligji. Nga ana tjetër, tatimpaguesi person juridik dënohet me gjobë nga 20 -100 mijë lekë nëse nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë apo nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo shërbimet. Sanksioni aplikohet edhe nëse ai lëshon një biletë që nuk përmban elementët e përcaktuar në këtë ligj për kuponin tatimor, apo lëshon kupon tatimor në të cilin ka vendosur një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar, si dhe nuk afishon në një vend të dukshëm një poster për detyrimin e blerësit të mallrave apo përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor, apo nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në ambientin e ofrimit të mallrave apo shërbimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›