E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat raport të dyshuarve për pastrim parash dhe financim terrorizmi

09/04/2009  Vendim për mbikëqyrjen e veprimtarive private që mund të dyshohen për terrorizëm

Dokumentacioni i identifikimit mund të ruhet për 5 vjet. Të gjitha bankat e nivelit të dytë do të raportojnë periodikisht në lidhje me veprimtarinë e të dyshuarve, që mund të jenë dhe klientë të tyre

Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut ka vënë menjëherë në lëvizje ekzekutivin shqiptar për të rritur vigjilencën ndaj parave që mund të përdoren për financim të akteve terroriste, megjithëse ky ishte dhe një detyrim që lindte që nga firmosja e MSA-së. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të autoriteteve licencuese dhe mbikëqyrëse”, duke u mbështetur në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Banka e Shqipërisë dhe autoritet të tjera mbikëqyrëse duhet të kontrollojnë subjektet financiare nën juridiksionin e tyre për të parë mos ndoshta veprimtaria e tyre lidhet me terrorizmit. Sipas këtij vendimi, “dukomentacioni i identifikimit të të gjithë personave fizikë apo juridikë që do të licencohen, ruhet për një periudhë jo më pak se 5 vjet nga data e përfundimit të marrëdhënieve juridike e civile me ta”. Në vendim saktësohet se organet licencuese dhe mbikëqyrëse raportojnë tek autoriteti përgjegjës për çdo dyshim të bazuar, për burimin ose origjinën e kapitalit, natyrën e veprimit financiar, pavarësisht nga vlera e përcaktuara në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Ndërkohë autoriteteve licencuese dhe mbikëqyrëse u ndalohet të informojnë klientin ose çdo person tjetër për procedurat e verifikimit të rasteve të dyshimta si dhe për çdo raportim në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Vendimi thotë se mënyra e raportimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave bëhet me anë të formularit të raportimit të veprimtarisë së dyshimtë. “Autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse, të cilat në mirëbesim raportojnë ose japin informacion në përputhje me dispozitat e këtij ligji pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, janë të përjashtuara nga përgjegjësia penale, civile ose administrative për nxjerrjen e sekretit profesional”, - thuhet në këtë vendim. Ndërkohë shkëmbimi i informacionit ndërmjet dy institucioneve bëhet në bazë konfidencialitetit të ndërsjellë.

Tek autoriteti përgjegjës raportohet:

a) Ka dyshime të bazuara në fakte e rrethana konkrete, që mund të lidhen me parregullsi në dokumentacionin identifikues dhe justifikues të burimit të ligjshëm të kapitaleve me ato reale.

b) Vërehet mungesë justifikimi të pasurisë apo të parave të deklaruara nga pikëpamja ekonomike ose ligjore.

c) Ka informacione, sinjalizime e të dhëna se paratë ose pasuritë e depozituara për licencim rrjedhin nga vepra penale ose janë të përziera me para a pasuri të tilla, apo kur dyshohet se veprimtaria që kërkohet të licencohet do të ngrihet për të realizuar ose mbështetur pastrimin e parave.

ç) Organet licencuese dhe mbikëqyrëse duhet të njoftojnë autoritetin përgjegjës në të njëjtën mënyrë, në çdo rast kur kanë të dhëna apo dyshime për implikime ose qëllime, që vërtetojnë se veprimtaria do të përdoret për të mbështetur, lehtësuar, ruajtur, nxitur ose fshehur aktet terroriste apo do të financojnë terrorizmin.

d) Ka dyshime të tjera, të bazuara në gjendjen ose rrethanat, të cilat nuk janë parashikuar më lart.

Raportimi

Vendimi “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të autoriteteve licencuese dhe mbikëqyrëse” saktëson se autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse i raportojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë nga çasti i konstatimit të çdo dyshimi, marrjen e çdo informacioni ose të dhëne që lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi për veprimtaritë në juridiksionin e tyre.

Shqyrtim kërkese

Sipas vendimit, autoriteti licencues dhe/ose mbikëqyrës shqyrton kërkesën e autoritetit përgjegjës bazuar në dokumentacionit shoqërues, në të cilin paraqiten të dhëna ose dyshime të bazuara në rrethana dhe fakte konkrete. Autoriteti licencues dhe/ose mbikëqyrës vendos për pranimin ose refuzimin e saj në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e tij dhe të subjekteve të licencuara e të mbikëqyrura prej tij.

Zbatuesi

Qeveria në vendimin e miratuar dje ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse për zbatimin e këtij vendimi dhe plotësimin e formularit të raportimit. Raportimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave do të bëhet vetëm në përputhje me standardet e përcaktuara në dispozitat e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›