E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji, debate në Kuvend

Tiranë -Lidhet e pretenduara midis botuesit të gazetës “55”, Fahriu Balliu dhe Mihal Delijorgjit, kanë shkaktuar debate në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti socialist Taulant Balla, e cilësoi Fahri Balliun, botuesin e gazetës “55” si “eminenca gri, dhe sekseri i Berishës me Delijorgjin”, duke nënvizuar se këto lidhje janë zbardhur nga media.

“Memoria e popullit nuk duhet të harrojë ’97 e as 15 marsin e 2008, ku Berisha e i biri janë të implikuar drejtpërdrejtë dhe po bëjnë presion që çështja e Gërdecit të mos zbardhet”- tha deputeti Balla.

Ai shtoi se i vinte në dispozicion të kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli kontratat, e publikuara në media këto ditë, që implikojnë Berishën me Fari Balliun dhe lidhjen e drejtpërdrejtë për çështjen e Gërdecit. “Bëhu e fortë e prano realitetin, se na i ke kërkuar, merri këto letra e çoji në prokurori”.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke iu kundërpërgjigjur theksoi se më përpara, duhen shpjeguar lidhjet midis Edi Ramës dhe Mihal Delijorgjit, dhe lidhjet e tyre. “Përpara se të përgjigjem shko thuaji kryetarin se kam të regjistruar mbi 200 telefonata mes tij e Delijorgjit. Pse i ka dhënë leje ndërtimi Delijorgjit dhe përse nuk ia heq këto leke ndërtimi? Me kë ishte në Kretë dhe kush ia pagoi qëndrimin? Le të bëhet burrë e të flasë vetë e të mos nxjerrë zëdhënësit e tij”-iu drejtua kryeparlamentarja deputetëve në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›