E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gërdecit, padi të dytë në Gjykatën e Lartë për Mediun

24/01/2012  Padisin edhe Delijorgjin, Minxollin e Pinarin për plagosje. Gjykata pranon vetëm Mediun

TIRANË- Një padi e re ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe tre të tjerëve, u depozitua dje nga banorët e Gërdecit në Gjykatën e Lartë. Padia e re ka për objekt Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin, Dritan Minxollin dhe Fatmir Mediun, ku tre të parët janë ende në gjykim për “vrasje”. Grupi i banorëve të Gërdecit akuzon këta persona për veprën penale të “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”. Pasi shqyrtoi këtë padi, Gjykata e Lartë shpalli mos kompetencën për gjykimin e çështjes ndaj Pinarit, Delijorgjit, Minxholit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe i kaloi automatikisht Gjykatës së Tiranës. Ndërkohë kjo Gjykatë pranoi për gjykim vetëm çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, sot Ministër i Mjedisit. Deri më tani kjo është padia e dytë që banorët e Gërdecit dorëzuan në Gjykatën e Lartë. Pasi ka shqyrtuar padinë me akuzat përkatëse dhe listën e të paditurve, Kolegji i Gjykatës së Lartë shpalli moskompetencën për gjykimin e Minxhollit, Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjecit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Pasi Gjykata e Lartë pranoi padinë për gjykimin e Fatmir Mediut, tashmë pritet të vendoset më tej nëse do të ketë heqje imuniteti apo jo.

Nga tragjedia e Gërdecit në Vorë, më 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën 300 të tjerë. Më tej dhjetra banesa e biznese u shkatërruan. Deri më tani, dosja “Gërdeci” po trajtohet në Gjykatën e Tiranës dhe tashmë procedimi ndodhet në fazën e leximit të konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, ku është lexuar pjesa më e madhe e tyre. Kanë mbetur pa u lexuar konkluzionet mbrojtëse të të pandehurve më kryesorë të këtij procesi, Mihal Delijiogji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli. Nga ana e saj Prokuroria e Tiranës pretendoi deklarimin fajtor të të gjithë të të akuzuarve, ku masa “burgim përjetë” u kërkua për Pinarin, Delijorgjin dhe Minxollin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›