E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rielektrifikim për zonën e ish-Kënetës



Pas ndërtimit të aksit të ri rrugor, që kryen mrekullisht lidhjen mes Durrësit - ish-Kënetës dhe autostradës drejt Tiranës, zona problematike shumë shpejt do të ketë rrjetin e saj të ri elektrik. Kjo falë një investimi nga KESH. Pas dy muajsh, rrjetat ajrore të krijuar nga kabllot elektrike të vendosura pa asnjë lloj kriteri nga vetë banorët e ish-Kënetës në Durrës janë drejt eliminimit. Shkak për normalizimin e gjendjes në njërën prej vatrave më problematike të Durrësit kanë qenë investimet në rrjetin shpërndarës të kësaj korporate gjatë gjithë vitit.

Vetëm para dy ditësh në këtë zonë nisi të zbatohet një tjetër projekt në linjat shpërndarëse në pjesën e cila kufizohet me mbikalimin e Urës së Dajlanit dhe me atë të pikave të karburantit që ndodhen në hyrje të autostradës. Projekti konsiston në shtrirjen ajrore të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike me fuqi 6 kv në këtë sipërfaqe.

Ai kap vlerën e 24 milionë lekëve dhe është mbuluar nga OSSH. Për këtë qëllim, në vend të shtyllave primitive dhe të ndërtuara me mjete rrethanore do të vendosen shtylla prej betoni 8 metra të larta, të cilat përveç cilësisë së shërbimit, sigurojnë edhe jetën e banorëve. Ata për çdo moment kanë qenë nën rrezikun e rënies në tension elektrik, që ka marrë jetën e mjaft prej tyre.

Projekti do të përfundojë pas 80 ditësh, duke nisur nga e enjtja. Agron Seseri, drejtori i KESH-it në Durrës, tha për “standard” se “me këtë investim thuajse do të eliminohen rrjetat e merimangës mbi kokat e banorëve të kësaj zone”.

Gjatë periudhës kohore 2000-2007, në ish–Kënetë kanë gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale nga tensioni elektrik 15 persona, të cilët kanë tentuar ndërhyrjen në rrjet për të siguruar energji për familjet e tyre apo duke vënë në punë elektropompat e ujit.

Gjatë këtij viti, në pjesën tjetër të ish-Kënetës u investuan 1.2 milion euro po në rrjetin shpërndarës. Këto masa kanë bërë që të rregullohen disi më mirë raportet mes KESH-it dhe komunitetit të kësaj zone, lidhur me rritjen e nivelit të arkëtimit për energjinë që konsumohet, pasi tani arkëtohet rreth 55 për qind e energjisë që konsumohet nga 25 për qind që ishte niveli i arkëtimit më parë.

Ndërkohë filiali në Durrës ende nuk ka vendosur të nisë nga puna për instalimin e matësve elektrikë, për shkak se i druhet manipulimit apo dëmtimit të tyre nga vetë banorët në kushtet kur ata ende konsiderohen si banorë informalë, ndërkohë që instalimi i tyre do të nisë vetëm pas procesit të legalizimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›