E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka takon emigrantët në Itali

Ministri i Punës, Kosta Barka, mori pjesë në Konferencën e Parë Rajonale për Punësimin e Femrave, në Rajonin Marke në Itali. Ministri Barka prezantoi dy dokumentet më të rëndësishme të politikave të përgatitura nga Ministria e Punës. Ato janë Strategjia e Punësimit dhe Formimit Profesional dhe Strategjia e Barazisë Gjinore. Bëhet me dije se rajoni Marke dhe kryeqyteti i saj, Ankona, janë bërë qendra e sekretariatit evropian për bashkëpunimin euro-adriatik. Ministri Barka në Itali u ftua nga Presidenti i Rajonit, Spaka, si dhe nga ministri i Arsimit, Asesori. Mësohet se autoritetet e rajonit Marke premtuan se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Ministrinë e Punës do të jenë prioritet në bashkëpunimin ndërkombëtar të rajonit, duke kontribuar në radhë të parë për forcimin e kapaciteteve të qendrave të formimit profesional publik në Shqipëri. Në rajonin Marke emigrantët shqiptarë përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve. Si i tillë, autoritetet lokale thonë se ky komunitet është dhe një nga komunitetet më të mirintegruara në Itali. Aktualisht, në këtë rajon jetojnë rreth 15 000 shqiptarë. Gjithashtu, ministri Barka zhvilloi një takim me përfaqësues të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë rajon. Një tjetër takim i ministrit shqiptar të Punës ishte ai me përfaqësuesit e studentëve shqiptarë në Marke, të cilët i inkurajoi që të kthehen në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›