E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Asnjë datë për Shqipërinë mbi statusin e vendit kandidat

“Kriteret politike janë thelbësore për t’u plotësuar nga shtetet”

Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij për kandidaturën e Malit të Zi në nëntor të këtij viti, gjatë publikimit të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit.

Këtë deklaratë e dha presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, pas takimit me Kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviç.

“Komisioni do të japë opinionin e tij për Malin e Zi bashkë me paketën për zgjerimin, që kalon në nëntor të këtij viti”, tha Barroso. Në konferencën për shtyp, i pyetur mbi Shqipërinë, e cila ka aplikuar po ashtu për statusin kandidat në Bashkimin Europian dhe pret opinionin e komisionit, Barroso tha se nuk mund të jepte dot një datë të saktë. "Nuk mund të flas në këto momente saktësisht për data dhe vende specifike që përmendet ju", tha Barroso. Presidenti i komisionit përmendi kriteret më të rëndësishme që duhet të përmbushë Mali i Zi, e që janë të njëjta me ato që duhet të plotësojë edhe Shqipëria. "Gjithçka mund të them është se opinioni i komisionit do të jetë i drejtë dhe objektiv. Përmbushja e të gjitha kritereve politike do të jetë në thelb të opinionit tonë për përparimin e vendit drejt statusit kandidat dhe hapjen e negociatave. Një nga fushat ku kërkohet vëmendje e veçantë është forcimi i shtetit ligjor, duke përfshirë dhënien e rezultateve konkrete për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por dhe vazhdimi i reformës gjyqësore", tha Barroso. Presidenti Barroso u shpreh se Komisioni Europian është i vendosur për zgjerimin me Ballkanin dhe topi tani është në fushën e vendeve të rajonit, të cilat, sipas tij, duhet të plotësojnë tërësisht kushtet e vendosura.

Vizita

Presidenti i Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, do të vizitojë Ballkanin në fillim të muajit korrik. Vizita u bë e ditur nga vetë Presidenti i BE-së, gjatë një takimi me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Ai tha se integrimi i Ballkanit është çështje kyçe për Bashkimin Europian, ndërsa anëtarësimi i secilit vend të rajonit në BE do të varet nga reformat e zbatuara.

Presidenti i BE-së, Herman van Rompuy, ka deklaruar se integrimi i Ballkanit është një çështje kyçe për Unionin, por secili vend do të anëtarësohet në bazë të reformave të kryera. Rompuy ka theksuar se ky do të jetë mesazhi që ai do të përcjellë gjatë vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, në fillim të korrikut.

“Bindja për perspektivë europiane përbën një rol të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit rajonal”, ka pohuar Van Rompuy, në përfundim të një takimi me Kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviç.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›