Barroso dhe Reinfeld: Do shqyrtojmë aplikimin e Shqipërisë për në BE
Edhe pse në vetvete mbart tepër polemika, edhe pse dorëzimi kërkesës për vendin kandidat në BE, është bërë para pak ditësh, nga kryeministri Berisha, shqyrtimi i saj pritet të zhvillohet gjatë presidencës suedeze, pas datës 1 korrik të këtij viti. Kreu i qeverisë gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, ka marrë mbështetje jo vetëm nga kryeministri çek, Mirek Topolanek njëkohësisht president i Këshillit Europian, i cili garantoi angazhimin e posaçëm të vendit të tij që faza e shqyrtimit të kërkesës të mbyllet brenda presidencës suedeze.
Por, Berisha ka marrë garanci gjithashtu edhe nga presidenti i KE, Hose Manuel Barroso, i cili mbështet të njëjtin qëndrim, si dhe nga kryeministri suedez, Fredrik Reunfel, vend i cili që prej datës 1 korrik të këtij viti do të ketë Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës. Nga ana e tij, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ka deklaruar se afati më i mundshëm për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për në BE, mund të bëhet gjatë presidencës së ardhshme të unionit, asaj suedeze. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, presidenti i KE deklaroi se do të punojë me qeverinë shqiptare që kjo të ndodhë sa më parë. Ne do të punojmë ngushtë me qeverinë shqiptare, që të ndodh sa më parë marrja e statusit të vendit kandidat, por është e rëndësishme të bëhet progres. Nuk dua të jap datë, por ne po punojmë në mënyrë konstruktive më Shqipërinë, ka nënvizuar Barrozo. Një tjetër garanci, kryeministri Berisha ka marrë dhe nga homologu i tij i Suedisë, Fredrik Reinfel, vend i cili që prej 1 korrikut të këtij viti do të ketë Presidencën e radhës së Këshillit të Europës. Suedia ka një qëndrim të hapur pro zgjerimit. Ne do ta shqyrtojmë kërkesën e Shqipërisë për vend kandidat. Mbështesim plotësisht perspektivën e Shqipërisë për në BE, u shpreh kryeministri suedez Reinfeldt. Takimet me Presidentin e Komisionit Europian dhe kryeministrin e Suedisë, kryetari i qeverisë shqiptare i zhvilloi në Varshavë, ku për dy ditë me radhë zhvilloi punimet Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partive Popullore Europiane. Barroso kryesonte një prej paneleve të rëndësishme të zhvilluara në kuadër të këtij organizimi politik, atë të titulluar, të jetosh Europën. Qeveria shqiptare u mbështet fort në këtë vendimmarrje për aplikim nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë shprehur hapur pro perspektivës sa më të shpejtë europiane për Shqipërinë. Mirek Topolanek kryeministri i Çekisë njëkohësisht president i Këshillit Europian garantoi angazhimin e posaçëm të vendit të tij që faza e shqyrtimit të kërkesës të mbyllet brenda presidencës suedeze.