Bregu: Studimi i BB, Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj në vendin e 178 në botë për korrupsion

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu deklaroi se sondazhi i publikuar nga USAID tregon rënien e nivelit të korrupsionit në Shqipëri, në qeverisjen e Partisë Demokratike. Ndër të tjera, Bregu përmendi se në një studim të Bankës Botërore, zhvilluar në të njëjtën periudhë me studimin që u publiku dje, Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj listohen në vendin e 178 në botë për korrupsionin. Sot (dje), USAID ka publikuar një sondazh, realizuar nga organizata IDRA, e cila, megjithëse e njohur për anësimin politik, konfirmon edhe një herë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit. Në bazë të studimit të sipërpërmendur, rezulton se indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në vitin 2005, në 1.29 në vitin 2009, rastet e referuara nga të anketuarit, kur policia ka kërkuar ryshfete, janë ulur nga 12.5% që ishin në vitin 2005, në 7.8 % në 2009-ën.
Pra, korrupsioni në polici është ulur me 40%, ka deklaruar Bregu. Por, sipas saj, ulja e kërkesës për ryshfete nga nëpunësit dhe zyrtarët, është edhe më e madhe, ku nga 12.2 % në 2005-ën, ka arritur në në 6.1% në 2009, duke theksuar këtu se korrupsioni i administratës është përgjysmuar. Në bazë të studimit të sipërpërmendur, ryshfeti në arsim është ulur me 300%. Në 2005, 29% e prindërve pohojnë se kanë paguar ryshfet për arsimimin e fëmijëve të tyre, ndërsa sot, rastet e ryshfetit në arsim kanë rënë në 9%. Ryshfeti është ulur gjithashtu edhe në marrjen e dokumenteve nga 29.6% në 2005-ën, në 19% në 2009-ën. Saktësoj se numri më i madh i dokumenteve lëshohet nga organet e qeverisjes vendore. Korrupsioni në tërësi ka një ulje të ndjeshme prej 9 pikësh. Shëndetësia ka një ulje nga 39.7%, në 37.1 %, pra, jo shumë e ndjeshme, por ky do të jetë fokusi ynë në luftën kundër korrupsionit gjatë mandatit të ardhshëm, vijoi zëdhënësja e qeverisë, sipas së cilës në bazë të studimeve të tjera të paanshme, të cilat datojnë më vonë, sesa ky studim i kryer në vjeshtën e vitit të kaluar, por i bërë publik sot (dje), rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë edhe më pozitive.