E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: E djathta do ti fitojë zgjedhjet, votimi majtas, për muret

Edhe pse jashtë Shqipërisë, kryeministri Berisha nuk ka harruar që vendi ynë është në prag zgjedhjesh dhe nga Varshava, ka vazhduar me turin e tij elektoral. Duke sulmuar opozitën, ai ka deklaruar se vota majtas do të thotë të votosh për mure. Por, nga ana tjetër, kreu i qeverisë dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka premtuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke kërkuar vëzhgues të huaj, në mënyrë të atillë që të lihen pas grindjet për zgjedhjet. Kryeministri Berisha është shprehur mëse i bindur për fitoren e zgjedhjeve të qershorit, duke e lidhur këtë fitore me mençurinë e shqiptarëve. Sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, që shndërrohen në realitet, ka theksuar kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, në Varshavë, kryeministri i vendit tonë ka bërë një premtim solemn përpara të pranishmëve, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim, ka ftuar partitë e PPE, të dërgojnë vëzhgues, sepse sipas tij shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka përfituar nga ky fjalim, për ti bërë thirrje të gjithë investitorëve të huaj të vijnë në vendin tonë, sepse përfundimisht ata do të jenë të lumtur. Këtë lumturi kreu i qeverisë e ka lidhur me uljen e taksave, ku ka veçuar Shqipërinë si vendin me taksat më të ulëta në Europë, ata do të gjejnë një taksë të sheshtë 10 %, 15 % kontribut social dhe 1.5 % taksa e biznesit të vogël, duke premtuar nga ana tjetër edhe vazhdimin e revolucionit fiskal. Iu kam premtuar qytetarëve të mi taksa të ulëta. Por cilat janë të ardhurat, mund të më pyesni ju? Ato rriten çdo vit me 22 %, çdo vit unë kam dërguar në qershor një buxhet të dytë shtesë në parlament. Taksat e ulëta shpërblejnë më shumë se sa taksat e larta. Vendi im kishte një rritje 8 %, këtë vit, si pasojë e krizës, ne përsëri po mbahemi në 4 %, deklaroi Berisha. Duke përmendur arritjet më të fundit të Shqipërisë, anëtarësimin në NATO dhe dorëzimin e kërkesës për vendin kandidat në BE, Berisha është ndalur tek riardhja e tij në pushtet para katër vitesh, duke përmendur këtu faktin se kombi po përballej me muret e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat sipas tij pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr. Sipas tij, në ditët e sotme fal eliminimit të këtyre mureve, Shqipëria ka bërë të mundur arritjet e saj historike. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha ka përmendur luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, ku është ndalur tek shifra konkrete, duke ritheksuar se tashmë Shqipëria është një vend tepër i sigurt. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë. Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6 % të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike, nënvizoi kryeministri Berisha. Duke vijuar fjalën e tij në arritjet e qeverisë gjatë këtyre katër viteve, kreu i qeverisë shqiptare ka përmendur shkurtimin 1 % shpenzimet operative të administratës, kursimin në prokurime 0.5 miliardë euro, duke luftuar në këtë mënyrë korrupsionin në dogana, taksa dhe tatime dhe duke ulur taksat. Kemi arritur në tre vjet të kemi 3 miliardë euro më shumë se qeveria e mëparshme. Korrupsioni është një kancer që duhet luftuar çdo ditë dhe ne jemi shumë të vendosur ta luftojmë atë. Por, këto rezultate janë rezultate të një programi të qendrës së djathtë që ne së bashku ndajmë dhe i besojmë, reformave të ndërmarra, të bazuara në këtë program, theksoi Berisha duke falënderuar të gjitha partitë popullore dhe njerëzit, të cilët ishin promotorët e vërtetë të rënies të Murit të Berlinit. Nuk njoh asnjë qeveri të majtë të asaj kohe që ishte e lumtur me rënien e atij muri, e kundërta është e vërtetë, vijoi ai, duke falënderuar edhe të gjithë miqtë, për ndihmën e madhe që i kanë dhënë vendit dhe kombit tonë në udhëtimin e tij të lirisë, demokracisë dhe integrimit.

Last Updated on Friday, 01 May 2009 16:44

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›