E Diel, 1 Nëntor 2026

Basesku siguron mbështetje për BE-në dhe vizat

Presidenti rumun takoi Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli

Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, zhvilloi dje takime me Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjatë takimit me kreun e qeverisë, Basesku i shprehu Berishës mbështetjen e plotë të Rumanisë për të gjithë hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE dhe proceset e tjera të lidhura me të, siç është heqja e vizave për shqiptarët brenda këtij viti. “Rumania ka një interes të madh që Shqipëria dhe vendet e tjera aspiruese të Ballkanit Perëndimor të bëhen sa më shpejt anëtare të familjes europiane”, deklaroi Presidenti rumun. Po kështu në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe miqësia tradicionale mes të dy popujve e shprehur edhe me kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në historinë e kombit shqiptar në fillimet e shekullit XX. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu Presidentin rumun me reformat politike ekonomike e institucionale dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat. Berisha u ndal në potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria për investitorët rumunë në sektorë, si energji e rinovueshme, turizëm, industri minerare. Po dje Basesku zhvilloi një takim edhe me kryeparlamentaren Topalli. Gjatë takimit, Kryetarja e Parlamentit foli për heqjen e vizave, duke theksuar se rekomandimi për këtë proces nga ana e KE-së erdhi si rezultat i zgjedhjeve më të mira e transparente, i reformave të guximshme e të thella. “Askush për interesa personale nuk do të mund të bllokojë as heqjen e vizave dhe as rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi Topalli në fjalën e saj. Nga ana e tij, Presidenti i Rumanisë, pasi shprehu kënaqësinë për këtë ritakim me Topallin, tha se shpreson në një vizitë të afërt të saj në Rumani.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›