E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristo Goci: Ne nuk jemi rumunë, por autoktonë sa ilirët dhe helenët

Flet ish-deputeti i PBDNJ-së, sot drejtues i një shoqate të rëndësishme të vllehve të Shqipërisë

“Ne nuk jemi arumunë, por armënj, të lashtë sa ilirët e helenët dhe jemi autoktonë në trojet që shtrihen në Maqedoni-Thesali-Epir dhe Shqipëri. Rumania nuk mund të na cilësojë si pakicë të sajën”. është një nga përfaqësuesit më në zë të komunitetit vllah në Shqipëri, Kristo Goci, i cili flet për “Shqip” pak orë pas deklaratës së Presidentit të Rumanisë, Trajan Basesku. Zoti Goci, cili është dhe kryetar i Komunitetit Shtetëror për Minoritetet. deklaron se “unë do ta falënderoja Rumaninë për bursat që ka dhënë për një pjesë të komunitetit tonë. Këtë e shikoj në shenjë respekti ndaj veprës së madhe të vllehve të larguar nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia në 2 shekujt e fundit për në Rumani. Ata kanë bërë shumë për Rumaninë. Por kjo është në aspektin human, sepse në aspektin gjeopolitik, vllehtë janë duke e zgjidhur vetë problemin e identitetit të tyre dhe në shtetet ku ata banojnë”. Goci, i cili ka qenë dy herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe që sot drejton një nga shoqatat më të rëndësishme të vllehve në Shqipëri, thekson se “vllehtë në Ballkan po organizohen të kenë një grupim që do t’i përfaqësojë në institucionet europiane dhe organizatat ndërkombëtare”. Duke folur për “Shqip” për origjinën e vllehve, Goci thekson se ata janë një popull që flasin një gjuhë të grupimit latin. “Gjuha jonë është në një familje me italishten, spanjishten, frëngjishten, portugalishten dhe rumanishten. Në Voskopojë do të mbajmë më 15 gusht një takim të madh të “Consilji Armënjëllor” siç quhet grupimi i të gjithë vllehve të botës. Ndërkaq, në muajin shtator do të zhvillohet një demonstrim kulturor i traditave dhe zakoneve të vllehve në sheshin përpara Pallatit të Këshillit të Europës në Strasburg. Por kreu i “Armënj di Albania” është shumë i qartë në kundërshtimin e tij ndaj argumenteve të Bukureshtit. “Problemi etnik rumun nuk ka asnjë lidhje me vllehtë e Ballkanit”, tha për “Shqip” Kristo Goci, i cili bën publike një zhvillim të ri politik të këtij komuniteti dhe këtë e thekson ekskluzivisht për “Shqip”. “Për t’iu dhënë fund spekulimeve me vllehtë po përgatisim një parti politike me frymë europiane për vllehtë e Shqipërisë dhe për të gjithë simpatizantët e këtij komuniteti të nderuar. Zoti Goci, i cili ka një përvojë të gjatë në politikë, pasi ka qenë deputet i PBDNJ-së, nis që tani të flasë si përfaqësues politik. Duke komentuar qëndrimin e kreut të shtetit shqiptar, Goci tha se “vlerësoj deklaratën e Presidentit Topi, por ndihma konkrete për të gjitha pakicat është zbatimi i planit kombëtar të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. Në shtrimin e propozimeve konkrete, Kristo Goci shkon më tej, duke dhënë qëndrimin e tij: “Nuk mund të ketë integrim të minoriteteve nëse nuk kanë hapësirë në televizione apo median e shkruar, si dhe nëse nuk zhvillohet në shkolla mësimi i gjuhës amtare”. Një gjuhë që sipas kreut të Komitetit të Minoriteteve është e lashtë dhe flitet nga të gjithë vllehtë që jetojnë në Ballkan.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›