E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka shtesa për ministrat, më shumë pensionet e ulëta

14/04/2009  Përfundon rillogaritja, Kryeministri Berisha paraqet skemën e re të pagave dhe pensioneve

Duke filluar nga 1 maji, rrogat dhe pensionet do të rriten. Kryeministri Sali Berisha ka bërë me dije masën e rritjes së të ardhurave për qytetarët gjatë një konference të posaçme për shtyp pas përfundimit të përllogaritjes së plotë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Berisha nënvizoi se përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve i jepet një përgjigje shumë e vendosur varfërisë e kapërcimit të saj. Shefi i ekzekutivit tha gjatë konferencës për shtyp të pasdites së djeshme se javën e ardhshme do të adresohen disa nga problemet më të mprehta që lidhet drejtpërdrejt me familjet në nevojë. “Ka qenë një ndër politikat kryesore të ndihmës ekonomie. Kjo masë nuk ka asnjë qëllim elektoral”, - ka deklaruar Berisha. Duke u dhënë një përgjigje pretendimeve të ngritura kohët e fundit nga përfaqësues të opozitës lidhur me këtë çështje, Berisha theksoi se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk nisën tani, por është bërë në vitet 2006, 2007 e 2008. Duke u përqendruar në rritjen e rrogave, kreu i qeverisë tha se rrogat mesatare të punonjësve të administratës në 4 vjet janë rritur me 68%, ndërkohë që janë dyfishuar rrogat e infermierëve, mjekëve e mësuesve. Ai nënvizoi se qeveria ka vendosur të mos prekë pagat e larta, ato të ministrave, Kryeministrit, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Ai e justifikojë këtë vendim duke u mbështetur në premtimin e dhënë më parë për ngushtim të diferencës mes rrogave të ulëta dhe atyre të larta. “Opozita paraqet si argument krizën ekonomike për të kundërshtuar këto masa që po ndërmerr qeveria”, - ka thënë shefi i ekzekutivit. Por për të hedhur poshtë këto pretendime Berisha tha se rritja e rrogave dhe pensioneve do të përbëjë një oponencë të fortë ndaj krizës, pasi do të forcohen blerjet. “Është edhe kjo një masë për të pakësuar efektet e krizës. Vendet e tjera që ulën rrogat, janë në një sistem tjetër nga ne. Qeveria disponon çdo qindarkë për këto rritje”, - ka theksuar Kryeministri Berisha. I pyetur mbi rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të pasur kujdes me rritjen e rrogave dhe pensioneve, Berisha u shpreh se Shqipëria ka disa specifika dhe masat që janë marrë e po merren tregojnë të drejtën. “Nuk ka pasur asnjëherë lëkundje të stabilitetit ekonomik dhe financiar”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha.

Detaje

Rrogat mesatare në 4 vjet rriten me 68%.

Janë dyfishuar rrogat e ulëta, rrogat për mësuesit, për infermierët dhe mjekët.

Më 1 maj dyfishohen pensionet në fshat në krahasim me 4 vjet më parë. Kush ka marrë 3.4 mijë lekët, do marrë 6.8 mijë lekë.

Pensionet minimale në qytet nga 11 mijë lekë më 1 maj bëhen 12.2 mijë lekë.

Rritje të ndjeshme edhe për pensionet e tjera në qytet.

Nuk rriten rrogat më të larta (deputetë, ministra, Kryeministri, Presidenti i Republikës etj.)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›