Në fund të prillit pritet aplikimi për në BE
14/04/2009 Shqipëria do të aplikojë në fund të prillit për statusin e vendit kanditat për në BE. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Rojters”, e cila për këtë u referohet burime të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare. Nga ana tjetër, në lajmin e saj agjencia prestigjioze u referohet dhe disa deklaratave të ministrit të Jashtëm Luzim Basha, u cili në një takim elektoral në qytetin e Elbasanit mësohet të jetë shprehur se “Shumë shpejt Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria shqiptare do të aplikojnë për statusin e vendit kandidatit të Bashkimit Evropian”, - thuhet në lajmin e agjencisë, e cila më tej shton se “një zyrtar i qeverisë i tha ‘Rojters’ se ditët e fundit të prillit mund të jetë një kohë e mundur për aplikim, por nuk është fiksuar ende një datë e saktë. Një gjë e tillë pritet të ndodhë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, që mendohet të zhvillohet e nxehtë. Shqiptarët, dikur njerëzit më të izoluar të Evropës staliniste, nën peshën shtypëse të diktatorit Enver Hoxha, do të mirëpresin perspektivën e udhëtimit pa viza për në BE dhe Basha premtoi se liberalizimi i vizave do të realizohet brenda 12 muajve të këtij viti. Disa shqiptarë ende kalojnë në mënyrë të paligjshme në kufirin me Greqinë, në kërkim të një jete më të mirë. Komisioneri për zgjerimin në BE, Olli Rehn, është shprehur se Shqipëria së pari duhet të sigurojë zgjedhjet parlamentare brenda standardeve përpara se të ndërmarrë hapin tjetër të gjatë në rrugën e anëtarësimit në BE. Shqipëria në tërë këta vjet ende nuk ka zhvilluar zgjedhje që përmbushin standardet ndërkombëtare., Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke Karel Shvarzenberg, vendi i të cilit mban presidencën e BE-së, fillimisht përshëndeti aplikimin, por më vonë u shpreh se nuk ishte koha e duhur për shkak se vendet e BE-së kanë shumë problemet financiare për shkak të krizës globale”, - thekson agjencia.