E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Lehtësime për biznesin në Tiranë

15/04/2011  Kandidati për kryebashkiak takon sipërmarrësit dhe banorët e minibashkisë nr. 4

Premtimi për asfaltimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bazon platformën e tij për shtimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët tek investimet. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Tiranë, ai bëri të ditur se parashikon në programin e tij të punësimit, përveç përmirësimit të infrastrukturës dhe klimës së biznesit, edhe lehtësira fiskale si dhe thithje të investimeve të huaja. Sipas tij, lehtësira fiskale do të parashikohen 4-5 vjeçare për ato biznese që punësojnë mbi 50 punonjës, ndërkohë që ai bëri me dije edhe krijimin e parqeve industriale bazuar mbi planin e përgjithshëm rregullues, i cili do të përfundojë brenda 12 muajsh. “Prioriteti ynë numër një mbetet punësimi në të gjithë kuptimin e fjalës. Vende pune, kushte më të mira pune, paga më të larta dhe trajtim më të mirë. Që ta bëjmë këtë ne, duhet që Tiranën ta kthejmë në një qytet që e lakmon biznesin jo në një qytet ku largohet biznesi. Të përmirësojmë klimën e biznesit duke ulur taksat, të përmirësohet klima e biznesit duke krijuar mundësi për parqe teknologjike, ku jo vetëm punohet me një regjim fiskal të favorshëm, por edhe transferohet përvoja e punës edhe te brezi i ri. Këta inkubatorë do të jenë pa taksa deri në 3 vjet. Gjithashtu, unë do të heq taksat për të gjitha bizneset që punësojnë 50 ose më shumë punonjës për 4 deri në 5 vjet”, tha kandidati i PD-së. Heqja e 60, nga 85 taksat dhe tarifat e bashkisë, ulja e barrës fiskale nga 40 deri në 60 mijë lekë në vit, ulja 3 deri në 5 herë e kohës për marrjen e lejeve ose licencave, parashikohen nga kandidati Basha. Ai premtoi gjithashtu se Bashkia e Tiranës, do të angazhohet dhe konkurrojë për thithjen e investimeve të huaja, duke e bërë kryeqytetin tonë një vend atraktiv për biznesin. Ndërsa në takimin e tij për banorë të njësisë bashkiake nr. 4 në Tiranë, Basha ka dëgjuar edhe shqetësimet për investimet elektorale të Edi Ramës, vetëm disa minuta pas vizitës së kreut aktual të Bashkisë së Tiranës në këtë njësi vendore për të inauguruar një segment rrugor. “Kemi kaq vite që jetojmë në pellgun e ujit këtu, nuk është mbajtur asnjë premtim”, i tha Bashës një banore. Pas këtij shqetësimi kandidati për kryebashkiak i siguroi qytetarët se problemet e tyre janë prioriteti i tij. “Këtu ka 20 vjet që nuk ka vënë dorë njeri. Unë ju them që kështu nuk mund të vazhdohet. Ne kësaj mënyre të vepruari, apo të mos vepruari, duhet t’i japim fund. Ne duhet t’i rikthejmë sytë nga lagjet tona, nga pragu i shtëpive të qytetarëve dhe ta fillojmë aty”, u shpreh Basha.

Haxhinasto prezanton kandidaten e Ersekës

Prifti: Zhvillimi ekonomik, prioritet i luftës sonë

Zv.kryeministri dhe njëkohësisht zv.kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, prezantoi dje kandidaten e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Ersekës, Zhaneta Prifti. Kandidatja Prifti fillimisht ka vlerësuar frymën tepër bashkëpunuese mes shtabeve elektorale të partive në koalicion, e më pas prezantoi disa pika të programit të saj elektoral. Ajo theksoi nevojën e investimeve që duhen bërë për këtë qytet, por, sipas saj, investimet duhen thithur me projekte konkrete, që duhet të bëjë pushteti vendor. “Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritete të luftës sonë. Qëllimi i programit tonë është kalimi nga faza e mbijetesës në atë të mirëqenies. Bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, rritja e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve, do të dëshmojmë hapje, kompetencë, seriozitet dhe vetëbesim”, tha Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›