E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha kryebashkiak Variantet per konstituimin e tij

Ndonëse u konfirmua nga Kolegji si fituesi i zgjedhjeve në Tiranë, Lulzim Bashës do t’i duhet të presë ende para se të ulet në karrigen e kryebashkiakut. Një tjetër betejë ligjore e cila do të kalojë në KQZ dhe më pas në Kolegj , do t’i paraprijë këtij momenti.

Sipas ligjit për pushtetin vendor, që kryetari i ri të marrë zyrtarisht detyrën, duhet të betohet para këshillit bashkiak në mbledhjen e tij të parë. Ky proces përfshin dhe betimin e lënies së detyrës së kryebashkiaku paraardhës, në rastin konkret Edi Rama. Por , problemi qëndron pikërisht tek mungesa e këtij këshilli, konstituimi i të cilit pritet të vonojë.

KQZ ka në proces të hapur mandatimin e këshilltarëve të kryeqytetit , mandatim i cili kërkon 5 vota, pra dhe një të opozitës. Në rast se kjo votë nuk sigurohet, çështja i kalon në një afat të dytë Kolegjit, i cili i mandaton automatikisht.

Por ka dhe një shteg tjetër ligjor për kryetarin e bashkisë. Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, atëherë është prefekti ai i cili organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë. Por para gjithë kësaj, kandidatura e Lulzim Bashës, duhet të verifikohet  formalisht njëherë nga gjykata e Tiranës. Ky organ pas 10 ditësh lëshon vërtetimin se nuk ka asnjë pengesë që ai të marrë detyrën.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›