E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi me PD-në, vendos konventa e jashtëzakonshme

06/07/2009  Lidershipi i LSI-së kërkon mendimin e forumeve të larta vendimmarrëse

“Mbledhja do të mandatojë për të negociuar për krijimin e qeverisë së re”

Lëvizja Socialiste për Integrim përvijon më tej vendimin e saj për të bashkëqeverisur me kampin e djathtë, duke thirrur Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme. Kështu, duke dashur të respektojë rregullat që i dikton “kushtetuta” e partisë, lidershipi i LSI-së ndërmori një hap të tillë, me qëllim që të jetë ky forum, më i larti vendimmarrës, ai që do të gjykojë dhe vlerësojë vendimin e marrë nga anëtarët e kryesisë. Do të jetë po Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme ajo që do të vendosë piketat mbi të cilat do të përqendrohet një aleancë e tillë mes LSI-së dhe PD-së. Anëtarët e këtij forumi do të bëjnë një analizë të hollësishme të të gjithë kësaj situate, duke diskutuar fillimisht se çfarë përfiton dhe çfarë do te humbëse kjo parti, sidomos lidhur me elektoratin. Kjo pasi një element jo pak i rëndësishëm është dhe fryma me të cilën elektorati i kësaj partie do ta përcjellë një aleancë të tillë. Ndërkohë Konventa do të mandatojë kryenegociatorin, përfaqësues të LSI-së, që do të negociojë me palën tjetër mbi atë çfarë do të përfitohet në këmbim të bashkëqeverisjes. Po kështu, në vijim të kësaj linje, ky forum do të bëjë dhe balancat mbi atë se çfarë do të ishte në të mirën dhe në funksion të kësaj partie për të negociuar me PD-në, gjithmonë duke iu referuar kabinetit qeveritar. Njëkohësisht konventa do të përcaktojë dhe politikat që do të ndiqen në të ardhmen me opozitën, sidomos marrëdhëniet me Partinë Socialiste. Por gjithashtu do të përcaktohen politikat që do të ndiqen në katër vjetët në pushtet si dhe përzgjedhja e programit qeverisës që LSI-ja do të implementojë gjatë këtij mandati, si një forcë politike pjesë e qeverisë “Berisha”. “Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të situatës, që ka lidhje me vendimin politik të LSI-së për të pranuar hyrjen në bashkëqeverisje, kryetari i saj, zoti Ilir Meta, thërret ditën e martë, datë 7 korrik 2009, Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e Kryesisë së LSI-së për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si dhe për të marrë mandatin për të negociuar për krijimin e qeverisë së re”, - ka thënë kryetari i KDK-së pranë kësaj partie Edmond Haxhinasto gjatë një komunikimi me mediet.

Qëndrimi

Kryetari i KDK-së Haxhinasto, duke hedhur poshtë zërat kundër bashkëqeverisjes PD-LSI, u shpreh se “unë ju sigurojë se vendimi i LSI-së është marrë në konsultim me strukturat e saj drejtuese si kryesi, por pavarësisht kësaj në LSI ekzistojnë të gjitha hapësirat demokratike për të shprehur mendime alternative. Konventa Kombëtare do të krijojë mundësinë për këdo që të japë mendimin e tij alternativ për këtë çështje”.

Argumenti i LSI-së

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste sqaroi disa nga arsyet që çuan në një bashkëpunim mes partisë së drejtuar prej tij dhe asaj Demokratike për të bashkëqeverisur. Sipas Metës, LSI-ja nuk mund të kthehet në një faktor destabilizues duke kontestuar zgjedhjet, ashtu sikundër erdhi ftesa nga lidershipi socialist për ndërmarrjen e një hapi të tillë. “Elektorati i vërtetë i LSI-së jo vetëm që e mirëkupton, por do të shumëfishohet, për arsye se kjo parti nuk është krijuar thjesht për të qenë në funksion të ambicieve të Partisë Socialiste, aq më tepër të një kryetari të përkohshëm të saj, por është krijuar për të qenë në funksion të një programi të qartë integrues për Shqipërinë, është krijuar pikërisht për t’u shërbyer interesave të vendit”, - vlerësoi Meta. Duke vijuar po në këtë linjë, Meta shtoi se “në një situatë të tillë për LSI-në ka vetëm dy mundësi: ose të kthehet në një faktor destabilizues duke kontestuar zgjedhjet, ose të pranojë bashkëqeverisjen me PD-në në interes të integrimit europian të vendit. Por këtu ka një problem të madh, sepse agresioni më i madh ndaj LSI-së nuk është bërë nga PD-ja, edhe pse nuk ka munguar dhe nga PD-ja, por në radhë të parë nga lidershipi i PS-së, nga vetë Edi Rama, që ka dirigjuar personalisht një operacion policesko-financiar, i cili ka synuar kryesisht korruptimin e anëtarëve të LSI-së”.

Kundërpërgjigjja e PS-së

Intervista e dhënë gjatë ditës së djeshme nga kryetari të LSI-së Ilir Meta solli reagimin e menjëhershëm të selisë rozë, e cila përmes një deklarate të shkurtër për shtyp nuk kurseu gjuhën kritike dhe fyese ndaj tij. “Deklarata e Ilir Metës në VOA është një vijim i turpshëm i pazarit të turpshëm të shitjes së 83 mijë zemrave opozitare te Berisha për të marrë në këmbim disa portofole në qeverinë e Gërdecit. Akuzat e Ilir Metës ndaj PS-së janë pjesë e pafytyrësisë së njeriut që tradhtoi 83 mijë shqiptarë, të cilëve ua mori votat për të hequr Berishën, kur në fakt ishte marrë vesh me Berishën për t’i dhënë votat e tij”, - thuhej në deklaratën e ardhur si kundërpërgjigje nga Partia Socialiste për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Duke mos kursyer dhe gjuhën fyese ndaj tij, deklarata vijonte më tej duke nënvizuar se “Ilir Meta i dha popullit opozitar një goditje të pabesë, por njëkohësisht e çliroi atë duke u jashtëqitur nga trupi i së majtës. Sot e majta është e ribashkuar dhe si asnjëherë më parë e vetëdijshme për gjithçka ka ndodhur”. Ndërkohë që dy ditë më parë dhe vetë kreu socialist Rama vlerësoi vendimin për bashkëqeverisje si një vendim që e bëri “Ilir Metën të kapërcejë dhe fenomenin Xhuveli, e kjo për shkak të një oreksi të pakontrollueshëm për pushtet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›