E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Administrata në punë deri në orën 19:00

17/12/2010  Ndërron oraret, në ditën e liberalizimit të vizave, punonjësit gjithë ditën në zyrë

ELBASAN- Kreu i Bashkisë së Elbasanit ka firmosur ndryshimin e orareve për administratën e Bashkisë Elbasan. Me liberalizimin e vizave duket se punonjësit e bashkisë do t’i përgjigjen një tjetër orari që shumë prej tyre kanë nisur ta zbatojnë, por kanë mbetur disi të çuditur. Sipas të dhënave në Bashki, ndryshimi i orarit 8-12 dhe 3-19.00 me një pushim të ndërmjetëm 3 orë është bërë për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve dhe që ata të gjejnë të hapur në çdo orë dyert e bashkisë.

Orari i ri

Gjithsesi ende askush nga punonjësit nuk di ta shpjegojë këtë orar të ri të vendosur në mes të dimrit. Duke mos dashur të thonë emrat, disa punonjës janë shprehur se ky lloj orari nuk është produktiv dhe se ata do të duhet të lëvizin për tri orë dhe më pas të kthehen deri në mbrëmje, gjë që nuk duket shumë e arsyeshme. Ata madje kanë propozuar që siç veprohet në institucionet private si bankat të ishte përcaktuar një orë pushim në drekë dhe orari zyrtar të shtyhet edhe një orë pas orarit normal zyrtar 8.00 me 16.00. Janë rreth 300 punonjës të bashkisë që duke filluar nga 15 dhjetori kanë një orar të ndryshëm zyrtar nga institucionet e tjera dhe deri në orën 19.00 të gjithë i gjen në zyra. Zëra të tjerë thonë se kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Gjithsesi mësohet se ky kufizim orari është pëlqyer nga disa punonjës të tjerë, të cilët thonë se në këtë hark kohor shkojnë e marrin fëmijët nga shkolla i sistemojnë dhe pasi konsumojnë drekën në familje kthehen më në formë për të punuar në postet e tyre. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja e këtij vendimi që cilësohet një standard evropian dhe që ka filluar të zbatohet. Drejtues të Bashkisë nuk e kanë bërë ende zyrtar lajmin për ndryshimin e orareve, por duket se më të prekurit do të jenë qytetarët, të cilët mund të trokasin në dyert e bashkinë pas orës 12.00. Pas kësaj ore asnjë qytetar nuk mund të bëjë prezent problemin e tij. Çdo qytetar do të duhet të rikthehet pas orës 15.00 për të bërë prezent shqetësimin. Këto ditë shumë qytetarë të përballur me këtë fakt janë kthyer ditën tjetër, pasi janë njohur me oraret e reja të Bashkisë Elbasan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›