E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama humbi betejën e transparencës së zgjedhjeve”

17/12/2010  Vendimi i prokurorisë së Shkodrës, mazhoranca kërkon dorëheqjen e kreut të PS-së nga partia

Klosi: Ngrini komisionin hetimor të vërtetojmë manipulimet tuaja të 28 qershorit

Me vendimin e prokurorisë së Shkodrës në dorë, e cila rrëzoi pretendimet e partisë së Nard Ndokës për manipulim të zgjedhjeve në dy zona zgjedhore, mazhoranca qeverisëse i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë. Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga kundërshtari i saj politik që gjithashtu tu kërkojë falje edhe banorëve të Shkodrës, qytetarëve shqiptarë si dhe deputetëve të tij, që i la gjashtë muaj jashtë Parlamentit në emër të kauzës së transparencës së zgjedhjeve. “Po ndërhyj jo për replikë ndaj deputetëve që përmendin emrin e Kryetares së Parlamentit, por për shkak të një vendimi të rëndësishëm të mbylljes së një çështjeje hetimi mbi atë që ju prej dy vjetësh e quanit kauza juaj, kauza e transparencës, kauza se si ishin manipuluar zgjedhjet dhe votat në Shkodër. Merreni me vete dhe përplasjani në kokë zotit Rama! Këto janë zgjedhjet e vitit 2009. Kjo është kutia. Ikni! Kështu i thoni kryetarit tuaj, të ikë! I thoni se kështu është shprehur: Nëse del ndryshe, unë iki dhe mbaj përgjegjësi. Kjo është e vërteta, e thënë edhe nga një institucion i pavarur, institucion afër jush”, - theksoi Topalli në fjalën e saj. Ajo e nisi fjalën e saj me përshëndetjen për hyrjen në fuqi të vendimit të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë. Në falënderimet e saj për deputetët e mazhorancës, që punuan fort gjatë këtyre dy vjetve, sipas saj, në kushtet e vështirësive artificiale të ngritura nga Rama, Topalli la jashtë kontributit deputetët e majtë. “Gëzuar vizat! Ti gëzoni, se e meritoni! Nuk ishte dhuratë. Vizat i morëm ne, i morëm me forcë, me vullnet, i kemi marrë me punë të madhe, kundër dëshirës së kryetarit tuaj, që ka bërë çdo përpjekje, por dhe kundër dëshirës së tre deputetëve këtu, që skanë lënë përpjekje pa bërë që të pengonin marrjen e vendimit, por kryesisht kundër dëshirës së kryetarit tuaj, që edhe më 19 korrik, kur po merrej vendimi në Komisionin e Jashtëm të PE-së, bëri çdo gjë që të mos merrej vendimi, që të shtyhej votimi”, - tha kryeparlamentarja Topalli. Deputetët e majtë nuk patën asnjë reagim për vendimin e prokurorisë së Shkodrës apo entuziazmin e deputetëve të djathtë. I vetmi që preku këtë çështje ishte deputeti Blendi Klosi, i cili kërkoi votimin e komisionit hetimor për zgjedhjet. “Kryetarja e Parlamentit shpërtheu para pak minutash, ndërkohë që asaj nuk i takon as të shpërthejë, as të këndojë, sepse është aty për të votuar ngritjen e komisionit të hetimit, që do të hetojë zgjedhjet dhe do vërtetojë manipulimin e votave”, - tha Klosi.

Vendimi për hetimin e zgjedhjeve

Parlamenti vendosi me 126 vota pro dhe 3 kundër të socialistëve Fino, Tahiri dhe Peza shqyrtimin pas një jave të kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen ose jo të komisionit hetimor për zgjedhjet. Mazhoranca përmes kreut kuvendor Astrit Patozi garantoi se do të jenë seriozë dhe se hetimi do të bëhet e përfundimet do të dalin në bazë të Kushtetutës. Emrat e komisionit hetimor parlamentar janë: Fatmir Xhafa, Armando Subashi, Asllan Dogjani, Ermonela Felaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja, Sajmir Tahiri nga opozita dhe Ilir Rusmaili, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Arenca Trashani, Edi Paloka, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj nga mazhoranca.

Protesta e ushtarakëve

Sikundër ishte paralajmëruar, ish-ushtarakët kanë protestuar gjatë ditës së djeshme, duke i kërkuara Parlamentit që të mos miratojë aktin normativ të qeverisë, që sanksionon uljen e pensioneve për të gjitha kategoritë që përfshin ligji. Përfaqësuesi i kësaj kategorie, Mehdi Pogaçi, ka pohuar se protesta do të vijojë edhe gjatë seancës së ardhshme parlamentare ku mendohet të kalojë për miratim akti normativ. “Në rast se ky akt nuk anulohet, ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet demokratike kushtetuese për të kërkuar rivendosjen e të drejtave ekonomike e financiare dhe do të vazhdojmë protestat tona. Nëse qeveria bën luftë politike ndaj nesh, e tillë do të jetë edhe përpjekja e jonë”, - është shprehur gjatë tubimit Pogaçi.

Idrizi dhe Ruçi për raportin e Marty

PS: Kuvendi të dënojë akuzat me një rezolutë

Partia Socialiste kërkoi nga Parlamenti shqiptar miratimin e një rezolute me të cilën Kuvendi të dënojë akuzat e ashpra që janë bërë në adresë të Hashim Thaçit nga Dick Marty për trafik organesh dhe krime të tjera. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të shprehet me një rezolutë kundër këtyre akuzave. “Ju bëj thirrje të miratojmë një rezolutë si Kuvend i Shqipërisë, në të cilën të dënojmë ashpër këto akuza, pasi ky është një atentat i sigurisë në rajon dhe jo thjesht një akuzë ndaj Thaçit”, - tha Ruçi. Ai tha se raporti dëmton edhe imazhin e shtetit të Shqipërisë. Ndërsa kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi tha se raporti i Marty ishte diktuar nga Serbia. “Raporti i Dick Marty është shprehje e konspiracionit të vazhdueshëm kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi. Nuk ka qenë vetëm konspiracion i tij, por edhe i Karla del Pontes. Shpikja e sensacionale e saj nën ndikimin e kuzhinës mjeshtërore serbe për të fabrikuar fakte, ku sipas së cilës në atë shtëpi bëhej trafik i organeve të të ashtuquajturve robërve lufte serbë, është zhvlerësuar nga koha dhe nuk është provuar asnjëherë”, - tha Idrizi.

Ministri Meta sqaron situatën në Shkodër

“Po hetimit parlamentar për menaxhimin e kaskadës”

Ministri i Energjetikës Ilir Meta, njëkohësisht zv.kryeminsitër i vendit, u deklarua i hapur për ngritjen e një komisioni hetimor nga Kuvendi për hetimin e menaxhimit të ujërave në kaskadën e Drinit. Gjatë diktimeve për përmbytjet e Shkodrës për shkak të shirave të shumta dhe ndarjes së përgjegjësive të kësaj situate, ministri Meta vlerësoi ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë si dhe menaxhimin e shkëlqyer, sipas tij, të kasakadës. “Nëse nuk do të ishte ndërhyrja e qeverisë e menjëhershme, ne do të kishim edhe humbje njerëzish, siç pati Bosnja dhe Polonia. Menaxhimi i kaskadës ishte perfekte. Nëse keni dyshime për menaxhimin e kaskadës, ngrini komision hetimor. Por po ju them se menaxhimi ka qenë i shkëlqyer dhe shkarkimet kanë nisur që në muajin tetor”, - tha ai. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës dhe veçanërisht atij të Shkodrës Ilir Beqja, numri dy i qeverisë i quajti pretendimet e tyre të pabaza. “Nuk do të merrem me kolegun parafolës, për të cilin në Shkodër thonë «shtati pyll e mendja fyell», por po ju them se ju, kolegë të opozitës, pasi nuk e rrëzuat dot qeverinë me kutitë, tani kërkoni ta rrëzoni me përmbytjet”, - përfundoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›