Verdha, dyshime për vrasje edhe jashtë Pogradecit
Lihet në burg pa afat i dyshuari si vrasës me pagesë. Gjykata e Pogradecit ka vendosur masën e arrestit me burg pa afat për 45- vjeçarin nga Leshnica e Pogradecit, Myrderi Verdha, të cilit iu gjetën në banesë armë dhe municione, si dhe një sasi e konsiderueshme parash të fshehura, që sipas dyshimeve të policisë janë fituar nga veprimtaria kriminale. I akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe rezistencë me armë ndaj forcave policore, Verdha ka dalë para togave të zeza, ku është njohur me akuzën dhe ku ndaj tij është vendosur masa e arrestit me burg. Ndërsa 45-vjeçari do të mbahet në burg me dy akuza, paralelisht vazhdojnë hetimet ndaj tij si i dyshuar për disa vrasje. Tre pistoleta dhe një armë kallashnikov janë dërguar që në momentin e kapjes së 45-vjeçarit për t’iu nënshtruar ekspertizave balistike, nga të cilat pritet të konfirmohet me prova se në cilat ngjarje kriminale janë përdorur. Burimet e policisë kanë thënë se do të bëhet krahasimi i gëzhojave të armëve me ato që janë gjetur në disa nga vrasjet që kanë mbetur pa autor. Dyshimet janë që armët që u sekuestruan në banesën e Verdhës mund të jenë përdorur në vrasje, jo vetëm në Rrethin e Pogradecit dhe për të vërtetuar shkencërisht me prova se për cilat vrasje të dyshuara bëhet fjalë, policia është në pritje të përgjigjes së ekspertizës së katër armëve. Pak ditë më parë, 45-vjeçari i bëri rezistencë policisë me armë gjatë një kontrolli në banesë. Krahas armëve dhe municioneve të tjera policia zbuloi një sasi parash të fshehura, të cilat dyshon se autori i ka marrë si pagesë për kryerjen e krimeve. Nisur nga këto elemente, policia ka hedhur dyshimet që në fillim se 45-vjeçari mund të jetë vrasës me pagesë. Polica po kryen ekspertizën balistike të armëve të gjetura në banesën e Verdhës, me shpresën se do të zbulohet autorësia e disa krimeve të rënda të pazbardhura.
#