E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD kërkon Ramiz Alinë në komision

Masakra e Tivarit Komisioni hetimor nis punën në shtator

Mbyllja e sesionit të dytë parlamentar të legjislaturës së 18 është në limitet e saj kohore, çka do të detyrojë komisionin më të ri hetimor për masakrën e Tivarit të shtyjë nisjen e punës. Ky komision do të ketë afat njëvjeçar dhe do të kërkojë në seancat e tij prezencën e Ramiz Alisë. Parlamenti miratoi një ditë më parë me 69 vota pro dhe 3 abstenime komisionin hetimor që do të ketë si objekt shqyrtimi masakrën e Tivarit të ndodhur në vitin 1945. Ish-presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, i është përgjigjur më parë Kryeministrit, duke thënë se “Berishën çdo gjë e shqetëson, sepse ashtu është formuar ai. Sali Berisha, kur ka halle, kur ka probleme, do të krijojë gjullurdi, të kapet diku të krijojë një problem”. Duke sqaruar këtë çështje, ish-presidenti komunist, Ramiz Alia është shprehur se “unë kam një të keqe të madhe, që nuk e dëgjoj Berishën. Koha kur ka ndodhur masakra i përket fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria partizane shqiptare kishte shkuar në ndihmë të popujve të ish-Jugosllavisë për t’u çliruar nga ushtria gjermane. Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja, ne kemi qenë në Bosnjë. është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›